Ministrja Hoxha kërkon përkrahjen e Gjermanisë për vizat
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim sekretaren e Shtetit në Ministrinë Federale për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, njëherësh anëtaren e Bundestagut gjerman, Maria Flachsbarth, me të cilën ka diskutuar për liberalizimin e vizave si dhe procesin integrues.
Ministrja Hoxha ka theksuar se kushtet për liberalizimin e vizave sipas udhërrëfyesit të gjitha 95 janë përmbushur, tashmë ka filluar fushata për informimin e qytetarëve për lëvizjen e lirë, duke shpërndarë materiale edhe në gjuhët e komuniteteve në të gjitha lokalitetet e vendit.
Ajo ka falënderuar Flachsbarth për kontributin e Gjermanisë në zgjidhjen e sfidave të Kosovës.
“Kosovës i duhet përkrahja për përshpejtimin e vendimmarrjes brenda këtij viti – sepse i kemi përmbushur të gjitha 95 kriteret. Vota e Gjermanisë në Këshillin e Ministrave është me rëndësi thelbësore për këtë proces”, ka deklaruar ministrja Hoxha, duke e njoftuar Flachsbarth për fushatën e informimit për liberalizimin e vizave.
“Qytetaret e Kosovës nuk do ta keqpërdorin këtë të drejtë”, vuri në dukje ministrja.
Sekretarja e Shtetit, njëherësh edhe deputete e Bundestagut gjerman, Maria Flachsbarth, ka vlerësuar lart përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e kushteve për liberalizim, duke vënë në pah rëndësinë e fuqizimit të sundimit të ligjit dhe Agjendën Evropiane të Reformave.
Ajo ka theksuar se Gjermania ka shprehur qëndrimin e vet për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit perëndimor, rëndësinë e paqes në këtë pjesë të Evropës si dhe zhvillimin ekonomik, duke ofruar përkrahje të gjithanshme për proceset aktuale nëpër të cilat po kalon Kosova.
/Epoka e re/