Ministrja Hoxha kërkon përkrahjen e Polonisë për liberalizimin e vizave
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur të martën në takim, një delegacion të lartë të Polonisë, të prirë nga zëvendësministri i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Szymon Szynkowski vel Sek.
Pjesë e delegacionit nga Polonia, ishte Anna Skiba, sekretare e Departamentit për Çështje Evropiane në MPJ, si dhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Polonisë në Maqedoni, Weronika Staniec-Porczyk.
Ministrja Hoxha në takim ka theksuar rëndësinë e marrëdhënieve bilaterale me Poloninë dhe rëndësinë që ka mbështetja e Polonisë për procesin e integrimit në përgjithësi.
Me theks të veçantë, ministrja Hoxha ka kërkuar nga zyrtarët polakë, mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë.
Ministrja Hoxha ka ritheksuar përkushtimin institucional të Kosovës që nga marrja e udhërrëfyesit duke përmbushur të gjitha 95 kushtet për liberalizim, po ashtu vuri në dukje gatishmërinë institucionale për mbarëvajtjen e procesit të liberalizimit.
“Qytetarët e Kosovës janë të vetmit të privuar nga lëvizja e lirë dhe kjo përbën edhe hendikep për fusha të rëndësishme për procesin integrues. Ne jemi të përkushtuar që gjithë procesi të rikonfirmoj të arriturat në vendin tonë por edhe zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se fushata për liberalizim është duke vazhduar me intensitet dhe qytetarët po informohen për të drejtat dhe obligimet që vijnë me liberalizimin e vizave.
Zëvendësministri polak, Szymon Szynkowski vel Sek, ka theksuar rëndësinë që ka rruga integruese për Kosovën dhe shprehu mbështetjen e Polonisë për procesin e integrimit të Kosovës.
/Epoka e re/