Ministrja Hoxha: Kosova s’ka humbur asnjë cent nga fondet e BE-së
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi ka pritur të hënë në takim ministren e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha me të cilën kanë diskutuar për fondet e IPA-së në fushën e mjedisit dhe zbatimin e direktivave të BE-së.
Matoshi ka thwnw se me ministren Hoxha kanë diskutuar për projekte që e përmirësojnë mjedisin dhe ambientin në vend.
Ai u zotua se të gjitha projekte do mundohen t’i përfundojnë me kohë, pasi që Kosova sipas tij nuk e ka luksin që të humb fonde për interesa të caktuara.
“Kemi folur për shumë tema, shumë projekte ndër to ndërrimit i filtrave të ‘Kosovës B’, ndërtimi i deponisë në Fushë Kosovë për materiet e klasifikuara si të rrezikshme, për fondet ndërkufitare me Shqipërinë, për projektet e deponisë së Mirashit, të deponisë në Pejë dhe shumë projekte tjera të cilat janë të planifikuara me fondet IPA”, ka theksuar ai.
Kurse, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha kërkoi që këto projekte të fillojnë sa më parë dhe mos të ketë vonesa.
“Jemi duke diskutuar për projekte të rëndësishme apo ndërtimin e deponisë për materiale të rrezikshme në Fushë Kosovë, dhe për ne është shumë e rëndësishme që sa më parë të filloi projekti meqë lokacioni është identifikuar dhe është me rëndësi që qytetarët e kësaj pjese mos të jenë ende thjesht në rrezikun e mbeturinave. Për fat të mirë kemi projektin që fondi i Bashkimit Evropian do të jap paratë buxhetin për ndërrimin e filtrave në termocentralin ‘Kosova B’, ky është një projekt shumë me rendësi që paratë derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe për ne është shumë me rëndësi që mos të kemi vonesa”, ka thënë Hoxha.
Sipas saj Kosova nuk ka humbur asnjë cent nga fondet e dhuruara nga BE dhe se Kosova është përfituesi më i madh në rajon nga këto fonde.
“Nuk kemi humbur asnjë cent, jemi në rrugë të mirë të përfitimit të fondeve të Bashkimit Evropian. Republika e Kosovës është përfituesi më i madh në rajon i fondeve të Bashkimit Evropian, gjegjësisht është përfituesi më i madh apo i dyti në botë për kokë banori pas Palestinës. Ministria e Integrimit Evropian është në proces të koordinimit të plotë me të gjitha institucionet në mënyrë që mos të kemi vonesa në projekte”, ka theksuar ajo.