Ministrja Hoxha kujton Reçakun, vendin ku u bë krim kundër njerëzimit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në përvjetorin e 20-të, të Masakrës së reçakut, ka vënë në pah se “Reçaku ishte shteg nga doli mesazhi i cili ka bashkuar opinionin botëror për vërtetësinë e sakrificës mbinjerëzore”.
Ministrja Hoxha ka shprehur respekt dhe solidaritet për të gjithë ata që ishin të prekur nga kjo tragjedi e kryer nga kriminelët që ende nuk i ka trajtuar drejtësia.
Ja statusi i plotë i ministres Hoxha në rrjetin social “Facebook”:
“Reçaku, është ora e historisë tonë të re, në rrugën e gjatë të lirisë. Ishte shteg nga doli mesazhi i cili ka bashkuar opinionin botëror për vërtetësinë e sakrificës mbinjerëzore, për të mbetur të lirë, në shtëpitë, në atdheun tonë.
Masakra e Reçakut ishte po ashtu mesazh se aty, ishte bërë krim kundër njerëzimit.
Në këtë ditë, të rëndë për të gjithë neve, shprehim respektin e thellë dhe solidaritetin për të gjitha familjet e prekura nga kjo tragjedi njerëzore e kryer nga kriminelët që ende nuk i ka trajtuar drejtësia.
Lavdi të rënëve për liri!”