Ministrja Hoxha: Liberalizimi i vizave, proces i rëndësishëm për rininë tonë
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Rinisë, në prani të udhëheqësve rinor të studentëve, OJQ-ve rinore, rinisë së partive politike, si dhe koordinatorit nacional për rini, Avdullah Hasani, ka mbajtur fjalë rasti duke theksuar se është një mundësi e mirë që të gjithë së bashku të mblidhemi rreth entuziazmit, kreativitetit dhe energjisë së të rinjve.
“Në ditët e sotme, kur kemi ndryshime të shpejta në botë, zhvillim të teknologjisë dhe kur gjatë viteve të fundit mediat sociale kanë shkaktuar ndryshime të mëdha sociale dhe politike, forca e rinisë është më e rëndësishme se asnjëherë më parë”, është shprehur ministrja Hoxha, duke shtuar se çdo ditë duhet të mundohemi që ta shohim botën përmes syve të të rinjve, pasi sipas saj kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar të rinjtë dhe për t’u dhënë mundësi që të jenë pjesë sa më aktive e shoqërisë.
Ajo ka thënë se Kosova ka marrë rekomandimin pozitiv për përmbushjen e kritereve të kërkuara për liberalizimin e vizave.
“Liberalizimi i vizave është i rëndësishëm për të gjithë qytetarët e vendit por më së shumti për të rinjtë tanë, do të jetë një mundësi më shumë për të rinjtë tanë dhe do t’u hap dyert e së ardhmes”, ka thënë Hoxha.
“Ne kemi rini të talentuar e të suksesshme dhe nuk ka nevojë të migrojë ilegalisht në vendet e BE sepse ka potencial që të jenë partnerë me të rinjtë e vendeve të tjera”, vuri në dukje ministrja Hoxha, dhe shtoi se është koha e fundit për pjesëmarrje sa më të madhe të rinisë në jetën publike, në Dekadën e Re.
Ministrja Hoxha ka thënë se Qeveria është e përkushtuar për të adresuar sfidat me të cilat përballen sot rinia jonë.
Ajo ka thënë se do të fokusohen në reformat në arsim, në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë mundësinë që të jenë konkurrent për tregun e punës në vend dhe jashtë.
Në ditën botërore të rinisë, ministrja Hoxha bëri thirrje për krijimin e partneriteteve të reja dhe bashkimin e përpjekjeve në eliminimin e të gjitha pengesave me të cilat përballen të rinjtë, duke i bërë ata më pak të ndjeshëm ndaj çdo lloj përjashtimi, në mënyrë që ne të gjithë ta shohim botën përmes syve të tyre.
/Epoka e re/