Ministrja Hoxha merr përkrahje nga Franca për proceset integruese të Kosovës
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në Parlamentin e Francës, është pritur në takime të veçanta nga zëvendëskryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe përfaqësues i Komisionit të përhershëm legjislativ, Jacques Maire, si dhe nga deputetja Mireille Clapot, zëvendëskryetare e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, ku ka diskutuar për reformat e ndërmarra, procesin integrues dhe sfidat e këtij procesi.
Hoxha e ka njohur Maire me të arriturat e procesit, reformat e ndërmarra si dhe domosdonë e çuarjes përpara të agjendës integruese për Kosovën, si rrugë të vetme për stabilitetin dhe paqen në këtë pjesë të Evropës, si dhe fuqizimin e vlerave të përbashkëta integruese.
“Ne jemi mirënjohës për përkrahjen e Francës, rëndësinë e përcaktimit të këtij vendi mik pro agjendës integruese për Ballkanin perëndimor, përshpejtimin e proceseve integruese si dhe dinamizmin e angazhimit të BE-së në këtë pjesë të kontinentit”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se Kosova ende ka nevojë për përkrahje si dhe fuqizim të përpjekjeve për procesin integrues.
Ndërsa, Jacques Maire, dhe përfaqësues i Komisionit të përhershëm legjislativ, ka vënë në dukje se Kosova ka shënuar arritje në procesin të cilat janë vlerësuar nga Parlamenti dhe Komisioni Evropian, dhe pret se pas zgjedhjeve për Parlamentin Evropian të ketë aktualizim të proceseve pozitive për Kosovën.
Ai ka theksuar se Franca do të jetë në krah të zbatimit të reformave dhe hapave që ndërmerr Kosova për vlerat e përbashkëta integruese.
Hoxha dhe Maire janë dakorduar se Kosova ka vetëm një rrugë dhe ajo është tashmë e konfirmuar me Planin e BE-së për zgjerim në Ballkanin Perëndimor, ku vetëm Kosova ka pengesa të cilat nuk ishin për vendet tjera aspirantë, pengesa të cilat sa më parë duhet hequr në këtë proces.
Nga ana e saj, Mireille Clapot, e ka konfirmuar përkrahjen për Kosovën në integrimin në organizatat ndërkombëtare, për reformat e ndërmarra dhe angazhimin e Kosovës për proceset integruese.
Ndërsa, ministrja e Integrimit Evropian ka potencuar prioritetin e këtij procesi të lidhur me liberalizimin e vizave, duke kërkuar mbështetje nga Komisioni i Punëve të Jashtme të Parlamentit të Francës që kosovarët të mos jenë qytetarët e vetëm nga një shtet evropian me kufizim në vlerën themelore të BE-së, lëvizjen e lirë.
/Epoka e re/