Ministrja Hoxha merr përkrahje nga Hungaria për liberalizimin e vizave
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, është pritur në takim nga ministri i shtetit për çështje evropiane të Hungarisë, Szabolcs Takacs, me ç’rast ka thënë se Kosova pret përkrahje të gjithanshme nga Hungaria.
Ajo ka theksuar se Kosova duhet ta fitojë të drejtën e liberalizimit të vizave meqë ka plotësuar të gjitha kriteret.
“Hungaria ka përkrahur në vazhdimësi procesin integrues të Kosovës andaj presim që sërish të jeni krah nesh në sfidat që na presin, aktualisht më e rëndësishmja është çështja e votimit në Këshillin e Ministrave”, është shprehur ajo, duke shtuar se sot kur rajoni është përfshirë si i plotë brenda planeve të zgjerimit të BE-së, vetëm Kosovës i mungon lëvizja e lirë.
“Liberalizimi do të ndikonte gjithanshëm edhe në proceset tjera integruese, në zbatimin e MSA-së, reformat e Agjendës Evropiane si dhe reformat tjera ekonomike por edhe të bashkëpunimit ekonomik, ngritja e mirëqenies dhe konkurrueshmërisë së kompanive vendore, aftësimi profesional, ngritja e cilësisë në arsim dhe të mirat tjera që ofron lëvizja e lirë”, ka theksuar ajo.
Ministrja Hoxha ka kërkuar mbështetje për liberalizimin e vizave nga qeveria hungareze në Këshillin e Ministrave, duke theksuar se të gjithë eurodeputetët hungarez votuan pro liberalizimit.
Ndërsa ministri i shtetit për çështje evropiane pranë Zyrës së Kryeministrit të Hungarisë, Szabolcs Takacs, ka rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën, duke vënë në spikamë të arriturat e Kosovës në këtë proces si dhe bashkëpunimin e deritashëm për procesin integrues dhe përfshirjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Ai ka premtuar se Hungaria do të jetë përkrahëse e rrugës integruese euroatlantike të Kosovës si dhe liberalizimit të vizave.
Takacs ka thënë se migrimi ilegal duhet të marrë fund dhe se qytetarët duhet të jenë të lirë për të lëvizur, prandaj sipas tij, shtetasit e Kosovës nuk duhet të jenë të diskriminuar krahasuar me qytetarët e tjerë në rajon.
/Epoka e re/