Ministrja Hoxha në Belgjikë, kërkon mbështetje për vizat
Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, ka takuar zyrtarë të Belgjikës, të cilët kanë ndikim në procese me interes për vendin si dhe për liberalizimin e vizave.
Hoxha sot ka takuar sekretarin e shtetit për azil dhe migracion, Theo Francken, me të cilin ka diskutuar për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, si dhe ka kërkuar mbështetjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Pasi e njoftova z. Francken me të arriturat dhe sfidat e procesit integrues, fokus i diskutimit ishte liberalizimi i vizave dhe kërkesa për mbështetjen e Belgjikës në të gjitha instancat e institucioneve përkatëse”, ka deklaruar ministrja Hoxha, duke shtuar se të gjitha kushtet e vëna për Kosovën janë plotësuar, andaj edhe presim rekomandim pozitiv dhe përkrahje nga vendet mike si Belgjika.
Ministrja Hoxha kryesisht është fokusuar në njoftimin e sekretarit të shtetit sa i përket gjendjes aktuale të migrimit të qytetarëve në Belgjikë, masat legjislative që ka marrë Kosova për të ndaluar migrimin ilegal dhe siguroi Sekretarin e shtetit se qytetarët e Kosovës nuk do ta keqpërdorin liberalizimin e vizave.
/Epoka e re/