Ministrja Hoxha në Tiranë: Rruga integruese e Kosovës, paalternativë
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka marrë pjesë në Takimin e Ministrave për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore në Tiranë të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, Ministria Federale e Austrisë për Punë të Jashtme, Çështje Evropiane dhe Integrim si dhe nga GIZ-i gjerman.
Pas Takimit të Ministrave për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore, është bërë nënshkrimi i Deklaratës për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke.
Praktika më e mirë dhe mbështetja e ndërsjellë në procesin e integrimit në BE, ishte temë e sesionit i bashkëkryesuar nga ministri Bushati dhe ministrja Kneissl.
Me këtë rast ministrja Hoxha ka diskutuar për informimin e publikut dhe rëndësinë e komunikimit rreth vlerave të BE-së në rajon, perspektivën e rajonit brenda procesit integrues, bashkëpunimin dhe këmbimin e përvojave për këtë proces.
Hoxha ka theksuar rëndësinë e promovimit të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimin e ligjit por edhe parimet e BE-së si dhe zhvillimi ekonomik dhe punësimi, të bërit biznes, arsimi, fuqizimi i të rinjve, barazia gjinore dhe shumë sfera të tjera që drejtpërdrejtë ndikojnë në mirëqenien e qytetarëve.
“Do të doja të ndalesha pak të pjesa e barazisë gjinore, të fokusohemi veçanërisht në promovimin e kësaj vlere. Ne e dimë se të gjitha vendet në rajon kemi sfida sa i përket barazisë gjinore dhe adresimi i këtyre sfidave përmes rrugës së përbashkët të integrimit evropian do të ishte mënyra më e mirë”, ka thënë ministrja Hoxha.
Ajo ka thënë se rol të veçantë në këtë proces luajnë mediet, klasa politike, institucionet e BE-së dhe organizatat e shoqërisë civile.
Sipas Hoxhës, mungesa e koordinimit mund të ketë mesazhe kundërthënëse të cilat pastaj mund t’i shkojnë për shtati narrativave anti BE.
Ministrja ka propozuar të bëhet një strategji sa i përket bashkëpunimit dhe komunikimit rajonal.
Hoxha ka bërë me dije se Kosova është e interesuar që ky bashkëpunim të thellohet dhe vlerësoj se së bashku mund të jenë më të suksesshëm në adresimin e sfidave të komunikimit të BE-së dhe pa dyshim një gjë e tillë është në interesin e të gjitha vendeve të rajonit.
Ajo ka shprehur përkushtimin e Ministrisë së Integrimit Evropian që të jetë pjesë e përpjekjeve të përbashkëta për strategji më të mira të komunikimit.
Takimi i Ministrave për Integrimin Evropian të Evropës Juglindore, i mbylli punimet me Nënshkrimin e Deklaratës për bashkëpunim dhe mbështetje reciproke.
/Epoka e re/