Ministrja Hoxha në Vjenë kërkon qasje më proaktive për Ballkanin Perëndimor
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka marrë pjesë në konferencën ministrore për çështje evropiane në Vjenë, në të cilën kanë marrë pjesë edhe ministrat e Ballkanit Perëndimor, nën udhëheqjen e ministrit austriak, Gernot Blumel.
Pjesë e panelit dhe diskutuese ishte ministrja Hoxha e cila në fjalën e saj, ka cekur rëndësinë e bashkëpunimit politik dhe ekonomik për rajonin i cili disponon mundësi të mëdha.
“Republika e Kosovës duhet të marrë mbështetje të menjëhershme nga BE-ja për të bërë përparim të mëtejshëm në negociatat tona afatgjata me Serbinë, për një Ballkan më të qetë, më të begatë dhe demokratik”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës janë më pro BE-së në Evropë, ndërsa është i vetmi vend me regjim të vizave, duke e konsideruar liberalizimin si çështje kyçe për Kosovën.
Ndërsa në panelin e dytë të konferencës ministrore për çështje evropiane në Vjenë, ministrja Hoxha ka theksuar se pjesa më e rëndësishme ku BE-ja duhet të përqendrojë politikën e saj të jashtme, deri në vitin 2025 është procesi i zgjerimit.
“Politika e zgjerimit të BE-së, duhet të shihet si një mekanizëm për ta bërë familjen e BE-së më të plotë dhe më të qëndrueshme. Unë besoj fort në perspektivën evropiane të vendeve tona dhe pres që kjo të riafirmohet perspektiva dinamike, konkrete dhe të arritshme”, ka deklaruar Hoxha.
/Epoka e re/