Ministrja Hoxha: Nuk kemi humbur asnjë cent nga fondet IPA
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka raportuar në Komisionin për Integrime Evropiane, ku ka prezantuar zbatimin e Planit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së (PKZMSA) për vitin 2018, zbatimi i ERA-s për periudhën 2016-2019 dhe rritja e fondeve të BE-së për Kosovën.
“Zbatimi i PKZMSA-së për vitin 2018 ka tejkaluar planet. Sipas marrëveshjes, ka qenë e paraparë që zbatimi të jetë së paku 60 për qind, ndërkohë që plani është tejkaluar në 68.23 për qind për vitin 2018”, ka bërë me dije ministrja Hoxha, duke shtuar se gjatë vitit 2017 është PKZMSA-ja zbatuar 62.05 për qind.
“Jemi të përkushtuar që gjatë vitit 2019 të rrisim dinamikën e zbatimit të masave legjislative”, është shprehur ministrja Hoxha.
Ajo ka thënë se edhe përkundër rezultatit të mirë të nivelit të masave zbatuese, Ministrja e Integrimit Evropian do të përpiqet që edhe këtë dinamikë ta rrit dhe të tejkalojë planet.
“Tashmë kemi rishikuar PKZMSA-në 2019-2023 dhe kjo shumë shpejtë do të miratohet në Qeveri. Sipas planeve të dakorduara me BE-në, zbatimi i PKZMSA-së për vitin 2019 pritet të jetë 70 për qind, ndërsa për vitin 2020 të jetë 80 për qind”, ka thënë ajo.
Kurse sa i përket zbatimit të ERA-s për periudhën nëntor 2016 deri në janar 2019, rezultatet janë po ashtu inkurajuese.
“Niveli i zbatimit të ERA-s që nga fillimi i saj në nëntor 2016 e deri në fund të janarit 2019 është 71.85 për qind, pasi që 97 nga 135 veprime janë zbatuar plotësisht, ndërsa 38 prej tyre (28.15 për qind) janë në zbatim e sipër. Të dhënat tregojnë se deri më tani janë zbatuar plotësisht 10 nga 22 prioritete, ose 45.45 për qind e tyre, ndërsa 12 prioritete, ose 54.55 për qind e tyre, janë në zbatim e sipër. Presim që gjatë vitit 2019 të rrisim dinamikën e zbatimit të prioriteteve të ERA 2 dhe do të përpiqemi të tejkalojmë planet”, ka theksuar ministrja Hoxha.
Ajo ka shtuar se ashtu sikurse te PKZMSA-ja, edhe zbatimi i mbi 70 për qind i ERA-s, demanton plotësisht zërat se kinse Kosova ka pasur ngecje në këtë drejtim.
“Më lejoni të përgënjeshtroj të gjitha ato spekulime që po bëhen dhe që mund të bëhen, sepse Kosova nuk ka humbur as edhe një cent të vetëm nga fondet e BE-së, përkundrazi, fondet e BE-së vetëm sa janë rritur e assesi nuk janë zvogëluar”, ka thënë ministrja Hoxha, dhe ka argumentuar me radhë aspektet kronologjike.
“Me IPA 2016, Pjesa 2, është nënshkruar kontrata për mbështetje buxhetore për reformën e administratës publike, në vlerë prej 25 milionë euro, kurse me IPA 2017, Pjesa 2, është nënshkruar kontrata për mbështetjen buxhetore për menaxhimin e financave publike, në vlerë prej 25 milionë euro”, ka thënë ajo.
Po ashtu, ministrja Hoxha ka informuar Komisionin parlamentar se fondet e BE-së për Kosovën vetëm sa janë rritur.
IPA 2017 ka ndarë 73 milionë euro, IPA 2018 ka ndarë 90.5 milionë euro, kurse IPA 2019 – 2020 mbi 200 milionë euro.
“Përpos fondeve të IPA-s, më lejoni t’ju informoj që Kosova përfiton fonde edhe nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor (WBIF)”, vuri në dukje ministrja Hoxha.
Ajo ka pohuar se vetëm në këtë raund të aplikimeve, pra raundi 21 i aplikacioneve në kuadër WBIF-së vlera e projekteve infrastrukturore tejkalon shumën prej 250 milionë euro. “Vetëm ndërtimet e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, impianteve për ujë të pijshëm dhe kolektorë të ujërave nëpër qendrat e mëdha dhe të vogla të Kosovës tejkalojnë vlerën prej 400 milionë euro.
Po ashtu, Ministria e Integrimit Evropian do të fillojë rishikimin e listës prioritare të projekteve duke hapur rrugë për investime në projekte të mëdha infrastrukturore”, ka deklaruar ministrja Hoxha.
Ministrja Hoxha u përgjigj edhe ndaj pyetjeve të parashtruara nga deputetët, anëtarë të Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, rreth përqindjes së realizuar të MSA-së, fondeve të IPA-s, shfrytëzimi i fondeve të BE-së si dhe vijimi i angazhimit për procesin integrues dhe liberalizimin e vizave.
/Epoka e re/