Ministrja Hoxha para studentëve të Akademisë Verore: Agjenda evropiane e bashkon rajonin
Në ligjëratën për studentët e Akademisë Verore Ndërkombëtare Kosova 2019, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka prezantuar vizionin e ardhshëm për vendin dhe angazhimin për t’u bashkuar në familjen e kombeve të Bashkimit Evropian.
Kjo akademi, ka mbledhur 55 studentë nga universitet prestigjioze nga 30 vende të të gjitha kontinenteve dhe ka në fokus temën “Ndërtimi i paqes në zonat pas konfliktit – Diplomacia, udhëheqja dhe negociatat”.
Ministrja Hoxha ka thënë se agjenda evropiane, është një agjendë që na bashkon të gjithëve, pavarësisht nga përkatësia etnike, fetare apo politike.
“Kjo është një rrugë që kërkon përpjekjet më të forta nga ana jonë për të përshpejtuar ritmin e reformave të brendshme. Ne e dimë shumë mirë se historia mund të ndajë njerëzit, veçanërisht në rajonin tonë. Kjo është arsyeja pse ne duhet të bëjmë historinë duke punuar së bashku për një të ardhme më të mirë. Dhe, mënyra më e mirë për ne për të arritur këtë si vende individuale, por edhe si një rajon, është si anëtarë të barabartë brenda BE-së”, ka thënë Hoxha.
Në fjalën e saj, ministrja Hoxha ka folur për nënshkrimin e MSA-së dhe reformat, duke përfshirë masat për forcimin e sundimit të ligjit, nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe nxitjen e bashkëpunimit rajonal.
Ndërsa për liberalizimin e vizave, ajo ka thënë se vendimi për liberalizimin e vizave qëndron në duart e Këshillit të Ministrave.
Hoxha ka thënë se mungesa e liberalizimit të vizave po ndikon më së shumti tek të rinjtë të cilët janë duke u privuar nga përjetimi dhe përqafimi i vlerave evropiane si bashkëmoshatarët e tyre në rajon.
“Heqja e regjimit të vizave, ka ndikim të drejtpërdrejtë në nxitjen e ekonomisë, nxitjen e partneriteteve, promovimin e kontaktit ndër kulturor dhe rritjen e shkëmbimit profesional dhe arsimor. Një perspektivë e qëndrueshme e BE-së për Ballkanin Perëndimor, është çelësi për paqen dhe stabilitetin në rajon”, ka potencuar ministrja Hoxha, duke shtuar se duhet një BE më e angazhuar në rajon.
“Ne vlerësojmë investimet e shteteve anëtare të BE-së në progresin e vendit tonë dhe ne jemi të vendosur të vazhdojmë punën e vështirë, por të nevojshme për reformat”, ka thënë ministrja Hoxha, duke shtuar se do të vazhdojnë punën në forcimin e institucioneve demokratike, promovimin e fjalës së lirë dhe ruajtjen e të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim.
/Epoka e re/