Ministrja Hoxha: Përkrahja e Çekisë është e rëndësishme për Kosovën
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur të martën në takim, Pavel Bilek, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Çekisë në Kosovë, me të cilin ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit dhe procesin integrues.
Hoxha ka shtuar se Çekia ka qenë përkrahëse e vazhdueshme e shtetësisë së Kosovës.
Ajo ka vlerësuar edhe përkrahjen e fundit në Parlamentin Evropian dhe Interpol, me votën pro të këtij vendi mik.
“Ne sot gjendemi para një sfide të re, sfidës së liberalizimit. Përkundër realizimit të të gjitha kushteve për liberalizim, ne mbesim i vetmi vend i privuar nga e drejta themelore, lëvizja e lirë”, ka thënë Hoxha, duke shtuar se ish vendet me diktaturë komuniste e dinë më së miri ndjenjën e izolimit, kufizimit dhe procedurave të pakufishme për qytetarët për një vizë.
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Çekisë, Pavel Bilek, ka vlerësuar lartë plotësimin e të gjitha kushteve për liberalizim dhe rikonfirmoi përkrahjen e Çekisë në të gjitha proceset që po kalon Kosova, me theks të veçantë, procesin integrues, reformat nga Agjenda Evropiane si dhe dialogun si një nga vlerat e Bashkimit Evropian.
Ministrja Hoxha dhe Bilek, u dakorduan se Kosova dhe Çekia kanë vullnet dhe gatishmëri të thellojnë bashkëpunimin e ndërsjellë, duke marrë përvojat integruese, përkrahjen për Kosovën për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare por edhe bashkëpunimin e gjithanshëm, si dy vende mike.
/Epoka e re/