Ministrja Hoxha pret në takim ambasadoren e re të Suedisë në Kosovë
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka pritur në takim, ambasadoren e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmack, me të cilën ka diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera në mes të dy vendeve dhe ka informuar për fushatën për liberalizimin e vizave dhe masat për zbatimin e MSA-së.
Ministrja Hoxha ka vlerësuar lartë përkrahjen e fuqishme nga Suedia, edhe me rastin e votimit të fundit në Parlamentin Evropian, por ajo ka theksuar se Kosova ka ende nevojë për përkrahje në përshpejtimin e hapave për procesin integrues.
“Angazhimi ynë për liberalizimin e vizave është i pandalshëm, fushata jonë tashmë ka filluar. Suedia ka vlerësuar dhe po e vlerëson angazhimin tonë për liberalizimin e vizave, të arriturat por edhe sfidat tona në procesin integrues, andaj, presim të kemi përkrahje për lëvizjen e lirë dhe përshpejtimin e procesit integrues”, ka thënë ministrja Hoxha, duke vënë në pah edhe zbatimin e reformave të duhura për procesin integrues si masat e ndërmarra në kuadër të MSA-së.
Ambasadorja Hernmack ka shprehur respekt për punën që zhvillohet rreth liberalizimit të vizave dhe procesit integrues, duke përgëzuar angazhimin e ministres Hoxha dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ajo ka theksuar se do të mbështes fuqishëm përkushtimin e deritashëm të paraardhësit të saj, për arritjen e aspiratave të qytetarëve të Kosovës drejt familjes evropiane.
/Epoka e re/