Ministrja Hoxha: Projektet e BE-së, janë të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin
Në prezantimin e dizajnit preliminar për Autostradën Prishtinë – Merdare, ku morën pjesë ministri Pal Lekaj dhe drejtuesit e këtij projekti, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka vlerësuar rëndësinë e projekteve të BE-së në Kosovë.
Ajo ka thënë se qëllimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.
Ministrja Hoxha ka theksuar se nga viti 1999 e deri më sot, Kosova ishte pjesë integrale e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, pastaj me Procesin e Stabilizim Asociimit, me Kornizën Investive të Ballkanit Perëndimor, me Procesin e Berlinit dhe shumë iniciativa tjera me karakter rajonal.
“Procesi i Berlinit u dëshmua si kontribut pozitiv dhe në kohën e duhur drejt agjendës së përafrimit dhe zgjerimit të BE-së. Duke ulur koston e transportit, sigurimin e furnizimit me energji, krijimin e partneriteteve afatgjata biznesore dhe transferin e teknologjisë”, vuri në dukje ministrja Hoxha, duke shtuar se procesi i Berlinit mundëson lidhjen e ekonomive të Ballkanit Perëndimor me BE-në.
“Edhe kjo rrugë e prezantuar sot, është në funksion të agjendës së kolektivitetit”, është shprehur ajo.
“Institucionet e Kosovës, përkundër zhvillimeve të fundit, mbesin thellësisht të përkushtuara në zbatimin e MSA-së, zbatimi i efektshëm i së cilës sigurisht që do të ta avancojë procesin e integrimit evropian në Kosovë në tërësinë e tij”, ka deklaruar ministrja Hoxha, duke shtuar reformat e ndërmarra deri tash, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në fund të fjalës së saj, ministrja Hoxha e falënderoi BE-në për projektet si dhe për rrugën Prishtinë-Merdare, duke shprehur përkushtim në kryerjen e obligimeve të ndërsjella.
/Epoka e re/