Ministrja Hoxha: Qytetarët e Kosovës presin nga BE-ja sinjale të qarta drejt integrimit
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në Vjenë, në konferencën ndërkombëtare dyditore, dedikuar Strategjisë për të ardhmen e Evropës që organizohet nën patronatin e Kryeministrit të Austrisë, me moton “Go West – Western Balkan”, ka theksuar se procesi i integrimit evropian mbetet një nga qëllimet kryesore të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës si dhe vazhdimi i konsolidimit demokratik, përmirësimi i sundimit të ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut dhe krijimi i një ekonomie funksionale të tregut.
“Besoj që institucionet e BE-së, do të vazhdojnë të bëjnë për perspektivën evropiane të vendit tonë, si për të gjithë rajonin, perspektivë dinamike, konkrete dhe e arritshme”, ka theksuar Ministrja Hoxha, duke shtuar se për Kosovën, rruga është e qartë, anëtarësimi në BE me besimin se Bashkimi Evropian duhet të përqendrojë politikën e jashtme në procesin e zgjerimit.
“Politika e zgjerimit të BE-së, duhet të shihet si një mekanizëm për ta bërë familjen e BE-së më të plotë dhe më të qëndrueshme. Ne presim që institucionet e BE-së do të sigurojnë një rrugë të qartë të Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në perspektivën e BE. Konsideroj se në këtë fazë, uniteti duket më i rëndësishëm se kurrë”, ka theksuar Ministrja Hoxha.
Në këtë proces ka shumë sfida dhe mundësi, theksoi Ministrja Hoxha, duke vënë në pah se institucionet e Kosovës dhe të BE-së duhet të punojnë së bashku për të kapërcyer sfidat dhe për të përdorur mundësitë duke ri-theksuar perspektivën e Kosovës në BE, si e vetmja rrugë përpara për Kosovën.
“Më lejoni të theksoj angazhimin e Qeverisë së Kosovës në të gjitha proceset që lidhen me agjendën evropiane, duke përfshirë dinamizmin e zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe lehtësimin e udhëtimit të lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian”, theksoi Ministrja Hoxha.
“Ne presim që Kosova të jetë gati në të njëjtën kohë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në. Perspektiva e BE-së duhet të shihet në të njëjtën mënyrë për tërë Ballkanin Perëndimor. Kosova nuk është ndryshe nga shtetet tjera dhe planet e zgjerimit duhet të përfshijnë Kosovën. Qytetarët e Kosovës shpresojnë të jenë pjesë e familjes së BE-së. E vetmja mënyrë që rajoni të jetë i qëndrueshëm është përfshirja e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në një paketë në planet për zgjerim. Kosova nuk duhet të jetë e izoluar apo e ndarë nga vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Ministrja Hoxha.
Në këtë konferencë ndërkombëtare, Ministrja Hoxha po merr pjesë edhe në cilësi të panelistës dhe tryeza të diskutimeve dhe punëtorive, dedikuar Strategjisë për të ardhmen e Bashkimit Evropian dhe perspektivës së zgjerimit në vendet e Ballkanit perëndimor.