Ministrja Hoxha reagon për anulimin e projektit milionësh nga BE-ja
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka reaguar për anulimin e projektit nga Bashkimi Evropian (BE) për ndërtimin e deponisë për mbeturinat e rrezikshme në Kosovë, i cili ka kap vlerën prej 12 milionë euro.
Hoxha ka theksuar se ky projekt është anuluar si pasojë e mungesës së vullnetit nga ana e Kuvendit Komunal të Fushë Kosovës, i cili nuk ka miratuar propozimin për ndarjen e lokacionit për ndërtimin e kësaj deponie.
“Sot, Bashkimi Evropian (BE) ka anuluar projektin për ndërtimin e deponisë për mbeturinat e rrezikshme në Kosovë. Përkundër takimeve, kërkesave të shumta me shkrim dhe insistimit të vazhdueshëm nga ana jonë, si pasojë e mungesës së vullnetit nga autoritetet lokale të Fushë Kosovës si autoritete kompetente për këtë çështje – projekti nuk u realizua dhe vendi ynë humbi 12 milion euro”.
“Për projektin ‘Hartimi i planit për deponinë për mbeturinat e rrezikshme’, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor identifikoi lokacionin në Harilaq, por u refuzua nga Kuvendi i Komunës së Fushë Kosovës, gjë që shpiu në anulimin e projektit. Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk ofroi lokacion tjetër. Është tejet zhgënjyes mos përkushtimi i autoriteteve lokale të Fushë Kosovës për realizimin e këtij projekti, duke mos përmbushur përgjegjësinë ndaj qytetarëve tanë për të garantuar ambient të sigurt. Vendi ynë aktualisht, nuk ka përkujdesje për mbeturinat e rrezikshme dhe si të tilla paraqesin kërcënim për shëndetin e qytetarëve tanë. Deponia do të ishte pa rrezik dhe në pajtim me standardet e evropiane, ashtu siç funksionon në BE”, ka shkruar Hoxha në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/