Ministrja Hoxha takohet me Hahnin, kërkon përshpejtimin e vendimmarrjes për vizat
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka takuar komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn gjatë Konferencës së 14-të të Rajoneve dhe Qyteteve të Evropës që po mbahet në Salzburg.
Ministrja ka falënderuar Hahnin për përkushtimin e tij për liberalizimin e vizave si dhe për zgjerimin e BE-së në Ballkanin perëndimor.
Ministrja Hoxha ka kërkuar mbështetjen e tij që procesi i vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës të përshpejtohet dhe përmbyllet gjatë këtij viti.
“Ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave. Ne jemi duke çuar përpara Agjendën e Reformave Evropiane, dhe me dinamikë të shtuar po realizojmë masat e planifikuara nga MSA-ja”, ka thënë ministrja Hoxha.
Ajo ka shtuar se pas përmbushjes së kushteve përkatëse, presin që edhe vendet anëtare dhe institucionet e BE-së të kryejnë të gjithë hapat procedural dhe procesi për liberalizimin e vizave të përmbyllet pa vonesa.
Komisionari për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn, ka theksuar se Kosova e ka mbështetjen e tij për procesin integrues, duke përfshirë edhe liberalizimin e vizave.
/Epoka e re/