Ministrja Hoxha takon homologun gjerman, kërkon liberalizimin e vizave
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën Federale të Gjermanisë, ka zhvilluar një takim me ministrin e Shtetit për Çështje Evropiane, Michael Roth.
Gjatë këtij takimi, ministrja Hoxha e ka njoftuar homologun gjerman për zhvillimet e fundit në vend, reformat e ndërmarra si dhe përkushtimin e institucioneve të vendit për të avancuar agjendën integruese.
Me këtë rast, ministrja Hoxha ka kërkuar mbështetjen e Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave duke potencuar se Kosova ka plotësuar kushtet e udhërrëfyesit për viza, gjithsej 95.
Më tutje, ai ka njoftuar ministrin gjerman për përpjekjet e bëra në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe ka theksuar se ky angazhim do të vazhdojë edhe pas liberalizimit të vizave.
Ministrja Hoxha ka thënë se qytetarët e Kosovës tashmë një kohë të gjatë presin liberalizimin e vizave dhe qytetarët tanë meritojnë lëvizjen e lirë.
Po ashtu, ministrja Hoxha ka njoftuar ministrin Roth se Kosova ka ndërmarrë reformat e nevojshme për kontrollin e kufijve dhe ligjeve për të huajt, andaj liberalizimi i vizave nuk do të keqpërdoret nga qytetarët e Kosovës, duke theksuar se duhet dhënë mundësinë të rinjve tanë që të udhëtojnë lirshëm në vendet e BE-së, sepse sipas saj Kosova beson fuqishëm në vlerat evropiane dhe kjo është rruga që jemi nisur, bashkimi me vlerat evropiane.
Ndërsa ministri Roth ka falënderuar ministren Hoxha për angazhimin si dhe ka ofruar mbështetjen e Gjermanisë në rrugën integruese të Kosovës, duke vënë në dukje se mbetet shumë punë për t’u bërë drejt integrimit evropian dhe në këtë proces reformat janë kyçe.
Ministri gjerman e ka siguruar ministren Hoxha se Gjermania do të mbështes Kosovën në procesin integrues dhe vlerëson lartë reformat e ndërmarra, duke porositur që të vazhdohet dialogu me Serbinë dhe reformat në sektorët kryesorë.