Ministrja Hoxha: Të gjeturat e Raportit 2018 po trajtohen me prioritet

08 qershor 2018 | 11:55

Institucionet e Kosovës janë duke punuar në të gjitha drejtimet për të avancuar në procesin e integrimit evropian. Kështu ka deklaruar të premten ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha në tryezën me temën: “Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën 2018”.

Me këtë rast, ajo ka vënë në pah përparësitë dhe mangësitë e pasqyruara në Raportin për Vendin të vitit 2018 për të cilat ka thënë se po trajtohen me seriozitet.

“Jemi duke punuar në disa drejtime me theks të veçantë në sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe plotësim të standardeve evropiane. Siç e dini Kuvendi i Kosovës më 30 maj 2018 ka miratuar Planin e rishikuar Kombëtar për Zbatimin e MSA-së për periudhën 2018-2022. Për vitin 2017 ky plan është përmbushur në masën 62 %”, ka deklaruar Hoxha.

Ajo ka bërë me dije se në fushën e sundimit të ligjit është duke u punuar në përmbushjen e obligimeve që dalin nga Agjenda për Reforma Evropiane, Plani Kombëtar për Zbatimin e MSA-së dhe sfidat e Raportit për Vendin.

“Përqendrimi është në politika e legjislacion, konsolidim të strukturave institucionale dhe përmirësim në zbatimin e legjislacionit. Reforma e Administratës Publike është duke u bërë në koordinim të plotë me BE-në. Fuqizimi i sektorit të Sundimit të Ligjit do të ketë ndikim pozitiv në përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave, krijimin e një mjedisi më të favorshëm për biznese dhe investime të huaja”, ka theksuar ajo.

Po ashtu, Hoxha ka thënë se Qeveria është duke punuar në përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së, fuqizimin e strukturave institucionale, të cilat do të rrisnin nivelin e bashkëpunimit ndër-institucional e bashkë me këtë edhe nivelin e zbatimit të legjislacionit.

“Kosova është pjesë e shumë iniciativave të ndryshme, si Procesi i Berlinit, Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor që kanë për qëllim zhvillim e Kosovës dhe rajonit në shumë drejtime, e sidomos në projekte infrastrukturore”, është shprehur ministrja Hoxha.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët e grupit të shtatë shteteve më të industrializuara (G7)…