Ministrja Hoxha tregon se cilat shtete janë duke e bllokuar liberalizimin e vizave
Ministrja e Integrimit Evropian (MIE), Dhurata Hoxha, është shprehur e zhgënjyer me Bashkimin Evropian (BE).
Ajo duke komentuar konkluzat e Këshillit të Ministrave të BE-së, ka thënë se kanë pritur datë konkrete lidhur me procesin e liberalizimit të vizave.
Hoxha e ka pranuar se tashmë disa shtete të BE-së, kanë dalë haptazi kundër liberalizimit të vizave.
Madje ajo ka përmendur edhe Gjermaninë, e cila sipas saj nuk po ndërmerr asgjë për t’i bindur vendet tjera që të votojnë për heqjen e vizave për Kosovën.
“Tani po shohim një hezitim nga disa shtete anëtare siç është Franca e Holanda. Deri diku edhe Gjermania nuk ka një mendim të qartë, përkundër faktit që ministri i Brendshëm i ka thënë ‘po’ liberalizimit të vizave për Kosovën, mirëpo në anën tjetër në takimin e Këshillit të Ministrave të Punëve të Brendshme, i cili u mbajt më 6 dhe 7 qershor, pra i parapriu takimit të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme dhe asgjë nuk u diskutua për Kosovën”.
“Pra as Gjermania dhe asnjëra nga këto shtete nuk e hapi temën e liberalizimit të vizave. Kjo na bënë të kuptojmë se pa u arritur një konsensus në mes të anëtarëve të BE-së nuk e shoh që do të kemi një vendim në Këshillin e Ministrave. Shpresoj që kjo të bëhet sa më shpejt, në mënyrë që qytetarët tanë të lëvizin sa më shpejt, mirëpo e gjitha tani është në duar të shteteve anëtare, gjegjësisht dy tri shteteve që duhet ta lëvizin këtë proces përpara”, ka thënë ajo në një intervistë për “Ekonomia Online”.