Ministrja Hoxha: Zbatimi i MSA-së duhet të dinamizohet
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka raportuar sot para Komisionit Parlamentar për Integrim Evropian.
Me këtë rast, ajo ka thënë se pas hyrjes në fuqi të MSA-së më 1 prill të vitit 2016 Programi Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (PKZMSA) 2019 – 2023 është programi i katërt më radhë për zbatimin e MSA-së i dakorduar mes Bashkimit Evropian dhe institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Qeveria pas një procesi gjithëpërfshirës konsultativ më 19 mars 2019 ka miratuar PKZMSA-në 2019 – 2023, bazuar në strukturën e Kritereve të Kopenhagës, të ndara në tri blloqe kriteresh: politike, ekonomike dhe standardet evropiane, duke përfshirë përafrimin e legjislacionit të Kosovës me atë të BE-së”, ka theksuar Hoxha, duke shtuar se vëmendje e veçantë u është kushtuar tri aspekteve: Bashkëpunimit më të ngushtë me institucionet, konform reformave të propozuara në Program, Planifikimit të qëndrueshëm dhe realist, dhe Kostos buxhetore.
Ajo ka thënë se sipas planit, për vitin 2019 është paraparë realizimi i 70 për qind i reformave, të paktën 280 masa afatshkurta, reformat institucionale janë të përfshira në këtë program.
Sipas Hoxhës, kostoja e zbatimit të PKZMSA-së 2019 – 2023 për këtë vit është rreth 94.4 milionë euro, nga të cilat rreth 81.8 milionë euro nga buxheti i shtetit, rreth 12.6 milionë euro nga mbështetja e donatorëve (BE dhe donatorët bilateralë), pra nuk ka vakum buxhetor.
Ajo ka theksuar se Kuvendi dhe Komisioni Parlamentar për Integrim Evropian janë shtyllat kryesore në aspektin e shtyrjes përpara të agjendës legjislative, ashtu edhe atë të koordinuesit për monitorimin e përmbushjes së detyrimeve të marra përsipër nga Kuvendi.
Me tutje, Hoxha ka thënë se Kuvendi do të ndikojë edhe në strukturat e stabilizim asociimit, në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit.
Sipas saj, raporti i parë tremujor mbi zbatimin e PKZMSA 2019 – 2023 parashihet të publikohet në fillim të muajit maj derisa monitorimi i zbatimit të PKZMSA-së bëhet përmes platformës online.
Ministrja Hoxha është përgjigjur edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit Parlamentar për Integrime, rreth MSA-së, reformave të planifikuara dhe lobimit rreth liberalizimit të vizave.
/Epoka e re/