Ministrja Hoxha: Zbatimi i rekomandimeve është detyrë jona e shtëpisë
Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, e ka njoftuar Komisionin për Integrime Evropiane lidhur me raportin për vendin tonë të publikuar nga Komisioni Evropian.
Ajo ka thënë se raporti vlerëson të arriturat, cek ngecjet si dhe numëron rekomandimet.
“Në nivel të Këshillit Ministror për Integrime Evropiane do të mbajmë takim ku do t’i shpalosim dhe adresojmë të gjitha të gjeturat, ngecjet dhe mospërmbushjet e detyrimeve tona. Në këtë takim pritet të dalim me një plan lidhur me përmbushjen e të gjitha rekomandimeve me të gjithë akterët, ne mënyrë që vitin e ardhshëm të pranojmë një raport më të mirë se të këtij viti”, ka deklaruar Hoxha, duke shtuar se konteksti politik i Kosovës në përgjithësi është cilësuar si sfidues gjatë periudhës raportuese.
“Taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë janë aspekte me rekomandime. Po ashtu, vë ne dukje se Kosova duhet t’i përmirësojë kapacitetet e saj administrative dhe koordinimin, në të gjithë sektorët, për të siguruar zbatimin efektiv të legjislacionit të BE-së”, ka theksuar ajo.
Ministrja Hoxha ka cekur vlerësimet pozitive sa i përket kritereve politike, ekonomike, në fushën e demokracisë, përparimet e gjyqësorit në përgjithësi, progresi i arritur në miratimin e legjislacionit, rritja e stafit ne sistemin e drejtësisë, rritja e buxhetit si dhe rritja e llogaridhënies.
/Epoka e re/