Ministrja Hoxha zotohet në përmbushjen e obligimeve të MSA-së
Nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës me moton “10-vjetori i pavarësisë ekonomike të Kosovës”.
Në fjalën e saj, ministrja Hoxha, ka theksuar se 17 shkurti i vitit 2008 shënoi një pikë kthese në historinë bashkëkohore të vendit tonë, duke kujtuar sakrificën dhe luftën që bëri populli ynë për të arritur 17 shkurtin e 2008.
Ajo ka thënë se nuk duhet harruar edhe ata që ndihmuan dhe kontribuuan që Kosova të bëjë këtë kthesë historike dhe të jetë shtet i pavarur.
“Ndryshimet janë të evidente dhe të pamohueshme qoftë në zhvillimin e sektorit privat, në sektorin bankar, në eksport dhe sidomos në infrastrukturën rrugore në zhvillimin urban dhe zhvillimin rural”, ka deklaruar Hoxha, duke shtuar se pjesë shumë e rëndësishme e këtij progresi është nënshkrimi i MSA-së, marrëdhënies së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian.
“Zbatimi i përpiktë i MSA-së do të thotë progres jo vetëm në zhvillimin ekonomik të vendit por edhe në të gjitha fushat tjera. Ne e kemi udhërrëfyesin se cila është rruga jonë e reformave dhe ajo është MSA-ja, neve na mbetet vetëm të punojmë për të përmbushur obligimet që dalin nga ajo”, është shprehur ministrja Hoxha.
Ajo ka përmendur edhe sfidat siç është e drejta e lëvizjes së lirë në vendet e Bashkimit Evropian.
Hoxha ka theksuar se bizneset, qytetarët, afaristët e studentët privohen nga mundësia e zhvillimit qoftë të biznesit apo të punëve të tjera në vendet e BE-së në mungesë të liberalizimit të vizave dhe kjo ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
Në mesin e sfidave, ministrja Hoxha ka përmendur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo është një sfidë e cila vazhdimisht përmendet në raportet e institucioneve të BE-së.
Ministrja Hoxha ka theksuar se të gjitha detyrat që duhet t’i kryejë Kosova janë të përcaktuara qartë në MSA, Agjendën Evropiane për Reforma dhe programin për reforma ekonomike.
“Sa më shpejtë që këtë e bëjmë, aq më shpejtë ecim përpara drejt anëtarësimit në BE-së dhe aq më shumë do të avancojë Kosova jo vetëm në zhvillim ekonomik por në të gjitha fushat tjera”, ka thënë Hoxha.
Ajo ka ftuar të gjitha institucionet e Kosovës që të jenë unik për rrugëtimin e Kosovës drejt BE-së.
“Sepse jemi popull dhe shtet evropian dhe nuk kemi ndonjë alternativë tjetër, e kjo, arrihet vetëm duke punuar të gjithë, me të gjitha mundësitë, së bashku, për ta bërë Kosovën vend ku sundon ligji dhe shtet atraktiv për investime”, ka deklaruar ministrja Hoxha.