Ministrja Nagavci flet për mungesën e teksteve shkollore

06 tetor 2021 | 14:54

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se ka pranuar ankesa të shumta në lidhje me mungesën e disa teksteve shkollore për klasat 6, 7 dhe 9.

Ajo ka thënë se ministria që drejton kishte njoftuar Drejtoritë e Komunale të Arsimit (DKA) se tekstet e klasave 6,7 dhe 9 do të përdoreshin të vitit paraprak prandaj shkollat duhej të siguroheshin që nxënësit e këtyre klasave t’i kthenin ato.

“Ju informoj se më 15 qershor, Ministria e Arsimit ka njoftuar të gjitha Drejtoritë Komunale të Arsimit (DKA) se këtë vit do të shpërndajë tekstet për nivelin 1-5 dhe për nxënësit e klasës së 8-të, tekstet alternative për nxënësit e klasave 6 dhe 7 si dhe tekstet shkollore për lëndën e gjuhës gjermane dhe frënge. Njëkohësisht, MAShTI i ka njoftuar DKA-të se sipas udhëzimit Administrativ nr.13/2016, tekstet e klasës 6, 7 dhe 9 do të përdoren të vitit paraprak andaj shkollat është dashur të sigurohen që nxënësit e këtyre klasave t’i kthejnë tekstet në fund të vitit shkollor”, ka thënë ajo.

Nagavci ka fajësuar DKA-të për të cilat thotë se nuk e kanë bërë kërkesën e saktë të librave në raport me numrin e nxënësve nëpër shkolla.

“Bazuar në kërkesat që i kanë bërë komunat, MAShTI i ka kontraktuar shtëpitë botuese dhe e ka bërë shpërndarjen e teksteve shkollore. Pra, shpërndarja e teksteve është bërë në respektim të plotë të kërkesave që kanë ardhur nga Drejtoritë Komunale të Arsimit. Ju informoj se si ministri, nuk kemi pranuar asnjë ankesë në raport me tekstet shkollore nga Drejtoritë Komunale të Arsimit”.

“Pas pranimit të shqetësimeve nga ana e prindërve dhe njoftimeve nga disa mësimdhënës, kam dërguar disa komisione që të bëjnë vizita në shkolla për t’u siguruar nëse procesi i shpërndarjes së teksteve nga DKA-të është realizuar në bazë të kërkesave të parapara. Gjatë këtyre vizitave jemi informuar se DKA-të, në disa raste nuk kanë qenë në nivelin e duhur të detyrës, duke mos planifikuar tekstet për nxënësit e të gjithave shkollave dhe duke mos bërë kërkesë të saktë në raport me numrin e nxënësve e madje në disa raste komisionet për pranimin e teksteve janë formuar me persona jo kompetent (punëtorë teknik)”, është shprehur Nagavci.

E para e arsimit ka inkurajuar shkollat dhe DKA-të që të sigurohen që të gjithë nxënësit t’i kenë tekstet.

“I inkurajoj shkollat dhe DKA-të që ta marrin me prioritet trajtimin e çështjes së teksteve mësimore dhe të sigurohen që të gjithë nxënësit ti kenë tekstet e të vazhdojnë procesin mësimor. Nëse ka pasur ndonjë mos përmbushje të obligimeve nga ana e MAShTI, ne jemi të gatshëm ti plotësojmë menjëherë edhe pse deri tash nuk e kemi asnjë informatë të tillë”, është shprehur ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Xherdan Shaqiri këtë fundjavë do ta luajë ndeshjen e 100-të…