Ministrja Nagavci në gjykatë për posedimin e ‘nato sprej’: S’e kam dëmtuar askënd

29 korrik 2022 | 11:30

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka thënë se nuk ka asnjë provë dhe asnjë dëshmi që ka dëmtuar apo penguar ndonjë person në kryerjen e detyrës zyrtare dhe as që ka shkaktuar ndonjë dëm material, në rastin ku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Një deklarim të tillë, Nagavci e ka dhënë në shqyrtimin e dytë, të premten, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë konsideroj ashtu siç e kam thënë në vazhdimësi, unë e kam pas në posedim sprejin me mbishkrimin ‘nato sprej’ dhe se konsideroj se nuk jam fajtore ashtu siç vërehet edhe nga shkresat e lëndës sikurse edhe nga CD që i kam marrë”, ka thënë Nagavci.

Ajo ka thënë se veprimet e saj kanë qenë të natyrës politike, me qëllim të përmbushjes së obligimit si deputete, për mbrojtjen e interesit më të mirë të vendit.

“Sepse në ditën kur kam pas sprej ka qenë në shqyrtim marrëveshja për demarkacionin, në të cilën ne e kemi konsideruar të dëmshëm dhe ashtu u vërtetua edhe më vonë”, ka thënë ministrja Nagavci.

Në anën tjetër, prokuroja Merrushe Llugiqi, ka thënë se kjo aktakuzë është konform dispozitave ligjore dhe ka një cilësim juridik adekuat të bazuar në prova.

“Andaj, kërkojmë që lidhje me këtë çështje penale sa i përket veprimeve faktike që janë kryer të vazhdohet të procedohet dhe të refuzohet kërkesa”, ka thënë prokurorja Llugiqi.

Paraprakisht, prokurorja Llugiqi ka njoftuar gjykatën se prokuroria ka përmbushur obligimin e saj me pajisjen me prova, përkatësisht CD-ve, për të cilën arsye kishte dështuar të mbahej shqyrtimi i dytë i 13 korrikut 2022.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 10 qershor 2022, Nagavci ishte deklaruar e pafajshme lidhur me veprën penale që i vihet barrë.

Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila është ngritur më 30 korrik 2019 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Nagavci po akuzohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Aktakuza thotë se më 21 mars 2018, e pandehura Nagavci në mënyrë të paautorizuar dhe në kundërshtim me ligjin mbi armët ka mbajtur në posedim sprejin me ngjyrë të gjelbër, me pjesë spërkatëse të zezë me mbishkrimin “NATO American Style”.

Më tutje, në aktakuzë thuhet se deri sa gjatë mbajtës se seancave në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku ka pasur hedhje të gazit lotsjellës nga disa deputetë, policia për të parandaluar hedhjen e serishme të gazit ka kontrolluar në mënyrë fizike nëpër trup gjithë deputetët.

E gjatë kontrollit trupor të të pandehurës Nagavci, akti akuzues ka theksuar se asaj i është gjetur dhe sekuestruar spreji i lartcekur.

Me këtë, ajo është duke u akuzuar se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 paragrafi 1 të Kodit Penale të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë deri në 7 mijë e 500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Armando Broja ka spikatur me paraqitjet e tij sezonin e…