Ministrja udhëton jashtë shtetit, anulohet seanca për goditjen e fëmiut me veturë
Është anuluar seanca gjyqësore ndaj ministres se Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila akuzohet se për shkak të mospërshtatjes se shpejtësisë ka goditur të miturën I.B.
Sipas gjykatëses Valbonë Gjonbalaj, ministrja Hajdari është në udhëtim zyrtar në Shqipëri dhe se e njëjta më 2 nëntor e ka njoftuar gjykatën se nuk do të jetë e pranishme në seancë.
“Nuk do ta mbajmë seancën për arsye se ministrja me parashtresë e ka njoftua gjykatën me prova të argumentueshme, për shkak të pozitës që ajo ka, është në takim zyrtarë në Republikën e Shqipërisë”, ka thënë gjyqtarja Gjonbalaj për “Betimi për Drejtësi”.
Gjykatësja ka thënë se mungesën, ministrja Hajdari e ka arsyetuar me ftesat që e njëjta ka marrë për këtë vizitë, ndërsa ka theksuar se janë njoftuar të gjitha palët.
“Më 1 nëntor është ftuar nga gjykata, ndërsa njoftimin e ka bo më 2 nëntor, janë njoftuar edhe palët tjera, të gjithë kanë qenë të pajtimit”, ka thënë ajo.
Në këtë seancë, ishte paraparë që të merrnin pjesë eksperti mjeko-ligjor si dhe një ekspert i komunikacionit, në lidhej më këtë gjykatësja tha se në seancën e radhës, palët do të ftohen me ftesa të rregullta.
Ndryshe, në seancën e kaluar ministrja Hajdari kishte thënë se nuk ndjehet fajtore për aksidentin ku ishte goditur një fëmijë, sipas saj, ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit dhe se papritmas vajza është goditur nga vetura pasi e njëjta ka qenë duke vrapuar.
Ndryshe, kërkesa ndaj të pandehurës Hajdari për inicim të procedurës së kundërvajtjes është bërë nga stacioni policor, Policia e Kosovës – Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, për aksidentin e ndodhur më 10 prill 2022, rreth orës 12:25 në rrugën “Vicianum”, në lagjen “Arbëria” në Prishtinë.
Me të njëjtën kërkesë, Hajdari ngarkohet me “Mospërshtatje të shpejtësisë” dhe “Aksident komunikacioni me lëndime trupore”.
Ndërsa për “Betimi për Drejtësi”, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti kishte thënë se vlerësojnë që ekspertiza e komunikacionit do të përcaktojë pozicionin se ku ka qenë e pandehura Hajdari, e që nga video, sipas tij, shihet se ka qenë në anën e majtë, ndërsa drejtimi i saj i lëvizjes ka qenë krahu i djathtë.
Ai ka thënë se prokuroria është dashur fillimisht të definojë shpejtësinë e lëvizjes para udhëzimit të rastit në kundërvajtje.
“Po ashtu, edhe nga shkresat e lëndës ka qenë rruga me reshje shiu dhe nga shpejtësia e lëvizjes që shihet në video, ne presim atë që është dashtë normalisht për ta bërë prokuroria që të konstatojë shpejtësinë e lëvizjes dhe përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes dhe kushteve atmosferike në rrugë dhe kjo do të definojë se a kemi të bëjmë më kundërvajtje apo kemi të bëjmë me vepër penale. Paraprakisht, mendojmë që prokurori i rastit është dashtë ta sqarojë këtë rrethanë para se të udhëzojë rastin për në Departamentin për Kundërvajtje”, ka thënë avokat Shefqeti.