Ministrja Ziviq: Programi për Integrimin Socio–Ekonomik, në përputhje me ligjin për bujqësi
Ministrja në detyrë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Dijana Ziviq, reagon ndaj deklaratës së zëvendësministrit të Financave, Bojan Stojanoviq, lidhur me “Programin për Integrimin Socio-Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”, në të cilën deklaratë kishte shumë pasaktësi dhe të pavërteta, duke keqinformuar kështu publikun e gjerë dhe duke krijuar konfuzion tek fermerët që presin mbështetje nga kjo ministri.
Në deklaratën e tij, gjatë ditës zëvendësministri i Financave, Stojanoviq, kishte deklaruar “se MBPZHR-ja ka shpallur program për mbështetje të fermerëve”, e që sipas tij kjo është bërë në mungesë të buxhetit për këtë program.
Me qëllim të informimit të drejtë të qytetarëve dhe opinionit, ministrja në detyrë e MBPZHR-së, Dijana Zivic, sqaron se “Programi për Integrimin Socio-Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”, për të cilin është hapur thirrja për aplikim më 18 shtator, është hartuar duke u bazuar në Ligjin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 03/L-098, si dhe Plotësim Ndryshimit të Ligjit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 04/L-090 dhe i cili sipas saj ka qenë i planifikuar edhe në buxhetin e këtij viti.
“Për hartimin e këtij programi, ajo njofton se MBPZHR-ja ka punuar gjashtë muaj vazhdimisht, në mënyrë që krahas programeve tjera, të ofrojnë një program mbështetës edhe për fermerët e vegjël, që edhe ata të zhvillojnë dhe zgjerojnë veprimtaritë e tyre bujqësore.
Ndër tjerash, ministrja sqaron më tej se që nga fillimi i mandatit të saj e deri më tani, mbetet e përkushtuar vazhdimisht për mbështetjen e fermerëve, duke u bazuar në programin për bujqësi dhe zhvillim rural, e të cilat hartohen duke u bazuar në ligjet dhe udhëzimet administrative në fuqi, e për të cilat buxheti planifikohet shumë me herët. Po ashtu, ajo sqaron se buxheti i Ministrisë së Bujqësisë është një dokument publik që të gjithë palët e interesuara mund të shohin”, thuhet në komunikatën e dërguar nga MBPZhR.
Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural më 18 shtator 2019 ka hapur thirrjen për aplikim në “Programin për Integrimin Socio-Ekonomik të Fermave të Vogla në Komunitet”, më një buxhet prej tre milionë euro.