Ministrja Ziviq raporton para Komisionit për Bujqësi
Ministrja e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Dijana Ziviq, ka raportuar para anëtarëve të Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural dhe ka thënë se është e gatshme të bashkëpunoj më këtë Komision në mënyrë që të ketë rezultate pozitive.
Ziviq nuk u është përgjigjur disa pyetjeve të anëtarëve të komisionit me arsyetimin se ka marrë detyrën që 15 ditë dhe se këto pyetje kishin të bënin me periudhën kur detyrën në këtë ministri e mbante Nenad Rikallo.
“Unë jam e gatshme të bashkëpunoj që të kemi rezultate sa më të mira. Më vjen keq që në shumicën e pyetjeve tuaja nuk mund të jap përgjigje, pasi nuk kam qenë ministre gjatë asaj periudhe dhe se shumica e pyetjeve kanë të bëjnë me atë periudhë, por pa dallime administrata e kabinetit do të japë përgjigje”, u shpreh Ziviq.
Ajo ka pranuar se ka vonesa në procedimin e ligjeve nga ana e kësaj ministrie në Kuvend, duke premtuar se ato do të dërgohen sa më shpejt që të jetë e mundur, por nuk ka dhënë ndonjë afat kohor.
“Më lejoni që gjatë kësaj periudhe prej kur jam ministre, të shfrytëzoj rastin që të njihem me punën e ministrisë. Aktualisht po punojmë në programin e zhvillimit rural 2019. Këtë vikend do të mbajmë tryezën e rrumbullakët me të gjithë ekspertët, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për të finalizuar këtë program. Mendoj se deri në fund të javës së ardhshme do të jemi në gjendje të publikojmë programin për zhvillim rural 2019. Po ashtu jam në dijeni se ka ardhur deri te vonesa e disa ligjeve dhe para deputetëve premtoj se këto ligje do të procedohen shpejt, si Ligji për Pyjet, Ligji për Ushqimin, Gjuetinë dhe Zhvillimin Rural e Bujqësor”, u shpreh Ziviq.
Kurse, sekretari i MPBZhR-së, Kapllan Halimi, ka folur rreth menaxhimit të mjeteve financiare dhe granteve nga ana e kësaj ministrie. “Sipas të dhënave të vitit 2014, në Kosovë ekzistojnë 130 mijë ekonomi familjare bujqësore, ndërsa ata si ministri përkrahin në programe bujqësore 30-35 mijë ekonomi familjare bujqësore, ku mbi 76 për qind të këtyre ekonomive familjare bujqësore nuk përkrahen. Për atë arsye pas një dekade të përkrahjes të fermerëve të mesëm dhe të mëdhenj kemi menduar të bëjmë një diversifikim, duke kyçur edhe fermerët e vegjël që është shumica e fermerëve që të kenë një përkrahje nga institucionet për t’iu mundësuar atyre të kalojnë nga një nivel vet ekzistues dhe nuk kanë kapacitete tregtare ta plasojnë në treg”, ka thënë Halimi, duke shtuar se këtë vit e kanë në planë të ndihmojnë të gjithë bujqit në territorin e Kosovës. “Janë mbi 76 për qind të fermerëve të regjistruar që nuk marrin përkrahje shtetërore dhe këta e përbëjnë një konglomerat të tërë të punësimit dhe ne duhet t’i përkrahim që të mundohemi t’i ngrisim një shkallë më lart që ata të kenë mundësinë e shitjes së produktit të tyre”, u shpreh Halimi.
Halimi bëri të ditur se nga pesë auditime që kanë pasur i kanë tejkaluar si njësi e bujqësisë.
Anëtarja Komisionit për Bujqësi, Besa Gaxherri, e pyeti Ziviq se sukseset e saj janë të popullit të Kosovës. “A e keni bërë prerjen nga puna e kaluar me dorëzim-pranimin e punës suaj, sepse ne kemi mjaft dyshime dhe argumente që në këtë ministri është keqpërdorur dhe abuzuar, andaj unë konsideroj që ju të keni sukses dhe mos me u thirr në atë se në të shkelurat nuk kam qenë unë, është një procedurë që duhet të bëni prerjen e dorëzim-pranimit të punës”, u shpreh Gaxherri.
Anëtari tjetër i Komisionit, Sali Zyba, kërkoi sqarime të di se nga kush ministrja Ziviq ka marrë detyrën kur ka shkuar në ministri dhe kjo e fundit tha se atë e ka marrë nga kryeministri Ramush Haradinaj. “Po, nga kryeministri”, u përgjigj Zhiviq.