MINT-i paralajmëron veprime pas ankesave të qytetarëve ndaj operatorëve kabllorë
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka paralajmëruar se do të ndërmerren veprime sipas ligjeve në fuqi ndaj operatorëve kabllorë, pas ankesave të më shumë se 100 qytetarëve në pak ditë.
Përmes një njoftimi për media ka thënë se me shqetësim janë përcjellur ankesat e qytetarëve ndaj disa operatorëve ekonomikë.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) e njofton opinionin publik se është duke i përcjellë me shqetësim ankesat e shumta të qytetarëve ndaj disa operatorëve kabllorë në Republikën e Kosovës, shërbimet e të cilave janë të rregulluara me kontratë mes palëve”.
Tutje është sqaruar se këto ankesa janë pranuar në departamentin për mbrojtjen e konsumatorit në MINT.
“Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në MINT, vetëm gjatë ditëve të fundit, ka pranuar mbi 100 ankesa të natyrës së njëjtë, të cilat i ka proceduar me prioritet për trajtim të mëtejmë nga institucionet gjegjëse”.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë i siguron qytetarët se brenda afateve ligjore, përmes institucioneve përgjegjëse, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjeve përkatëse në fuqi”, thuhet në reagim.
Ky dikaster ka bërë thirrje që ankesat lidhur me këtë çështje qytetarët të vazhdojnë të ua përcjellin në kontaktet e tyre zyrtare.
“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, gjegjësisht Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, mbeten maksimalisht të përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e konsumatorit, për çka ftojnë qytetarët që ankesat t’i paraqesin duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 11000 apo përmes email adresës: [email protected]”.
Ankesat e qytetarëve në Kosovë, së fundmi kanë ardhur ndaj operatorëve kabllorë në vend për shkak të ndryshimit të listës së kanaleve televizive, pa ndonjë paralajmërim.