MINT-i reagon pas arrestimeve: Organet hetuese mos ta cenojnë sigurinë shtetërore

18 gusht 2023 | 14:02

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) ka dalë me një reagim pas arrestimit të dy zyrtarëve të saj lidhur me aferën e rezervave shtetërore.

“Sot, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë erdhën Njësia hetuese e Prokurorisë Speciale, me urdhër të prokurorit Valdet Gashi për kontroll në zyrët e dy zyrtarëve të lartë të MINT-it, të drejtorit të Departamentit për Rezervat Shtetërore, z. Hafiz Gara dhe drejtorit të Departamentit të Integrimeve Evropiane, z. Irfan Lipovica. Për më tej, Prokuroria Speciale ka bërë njoftimet për rastin që po hetohet nga ta”, është thënë në reagimin e MINT-it.

Kjo ministri ka theksuar se mirëpret çdo hetim për rastin e blerjes së rezervës shtetërore, duke shtuar se janë të bindur që furnizimet dhe rezerva shtetërore janë në përputhje ligjet, planin dhe asnjë dëm apo dëmtim nuk ka ndodhur me to.

Më tutje, MINT-i ka pretenduar se për këtë çështje po synohet të keqinformohet publiku. Po ashtu, ministria që drejtohet nga Rozeta Hajdari, ka kërkuar nga organet e hetuesisë që mos ta cenojnë sigurinë shtetërore.

“Për këtë çështje prej një kohë të gjatë e veçanërisht në muajt e fundit ka përpjekje të mëdha që të keqinformohet publiku në vendin tonë. Motivet dhe arsyet për këto veprime të nxitura dhe koordinuara nga palë të ndryshme të interesit duhet të jenë po ashtu pjesë e hetimit në këtë rast. Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pret që organet e hetimit të kenë në vëmendje që krahas punës hetimore, të mos cenojnë në asnjë rrethanë sigurinë shtetërore, për sa kohë që bëhet fjalë për rezervën shtetërore të Republikës sonë, e klasifikuar sipas Ligjit për rezervën shtetërore dhe ligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”, është thënë në reagimin e MINT-it.

Po ashtu, MINT-i ka drejtuar edhe një kërkesë për mediet.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, i lut mediet që të përmbahen nga deklarime të pakonfirmuara nga ministria dhe siguron se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi”, është thënë në këtë reagim.

MINT-i ka theksuar se është “e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e Rezervës Shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka…