Minxhozi: Nuk është në dëshirën e Vuçiqit ta njohë apo mos ta njohë Kosovën

03 janar 2021 | 11:32

Mungesa e stabilitetit politik, ku vetëm vitin e kaluar janë ndërruar tri qeveri, për ambasadorin e Shqipërisë, Qemal Minxhozi reflekton edhe në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi.

Ai thotë se nevojitet angazhim për arritjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi, pasi zgjidhja e ngërçit mes dy vendeve hap rrugën për zhvillim multilateral rajonal efikas.

Minxhozi në një intervistë për KosovaPress, flet edhe për liberalizimin e vizave, bashkëpunimin ekonomik Kosovë – Shqipëri gjatë pandemisë, si dhe mini-shëngenin ballkanik.

Sipas tij, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë është çështje kohe.

“Çështja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë është një çështje vitale e zhvillimit, e përparimit, jo vetëm të Serbisë dhe Kosovës, por të gjithë rajonit. Prandaj nuk mund të jetë peng i një partie politike, i kujtdo qoftë ajo. Është diçka që ka të bëjë me vet të ardhmen e popujve të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të rajonit. Zgjidhja e një ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë i hap rrugën një zhvillimi multilateral rajonal efikas”, thotë ai.

Vitin që lamë pas u ndërruan tri qeveri, e kjo sipas Minxhozit reflekton edhe në çështjen e dialogut me Serbinë.

Kur pyetet lidhur me deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës sa është ai në krye të shtetit serb, ambasadori shqiptar thotë se kjo çështje nuk është në dëshirën e Vuçiqit.

“Nuk do të hyjë të vlerësojë deklaratat e udhëheqësve, por ajo që duhet të themi është se Kosova ka një status që e ka fituar këtu e 20 vjet përpara dhe historia nuk do të mund të kthehet mbrapshtë. Nuk është në dëshirën e një udhëheqësi e njoh apo nuk e njoh. Kosova ka një realitet të ri dhe realiteti mes Kosovës dhe Serbisë ka ndryshuar. Çështja e njohjes është problem kohe dhe është e pamundur që të mbahet peng nga Serbia mosnjohja e Kosovës. Çështja është që biseda e udhëheqësve politikë duhet të jetë në një rrafsh tjetër, si të shikohet mundësia për të ulur këto tensione, për të realizuar disa projekte, disa gjëra që kanë të bëjnë me shtensionimin e situatës, sidomos në fushën e ekonomisë. Serbia është e favorizuar në Kosovë me eksportet që bënë këtu, prandaj edhe në interesin e vet Serbisë është që marrëdhëniet me Kosovën të jenë të mira dhe të qëndrueshme, ashtu siç ka nevojë edhe Kosova për të”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Eqrem Kryeziu Me të përfunduar lufta në Kosovë, njerëzit…