Minxhozi: Shqipëria dhe Kosova duhet t’i ndryshojnë ligjet rreth shkëmbimit ekonomik
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se shkëmbimi ekonomik në mes të dyjave vendeve vitin e kaluar ka qenë më i madhi në dhjetë vjetët e fundit.
Por sipas tij, ka hapësirë që në këtë drejtim të bëhet edhe më tepër.
“Pavarësisht pandemisë disa eksporte-importe për Kosovën dhe Shqipërinë kanë vazhduar normalisht. Termi barrierë gjithmonë do të ekzistojë, derisa ke kufi ke dhe barriera por duhet munduar që të minimizohen. Vullneti ekziston historikisht por çalon zbatueshmëria. Duhet perfeksionuar derisa kemi rritje shkëmbimesh tregon se ka përmirësime, por kjo tregon se nuk jemi aty ku duhet”, është shprehur Minxhozi, njofton Klan Kosova.
“Nuk jemi të ndarë, por duhet të ushtrojmë më tepër kontroll në detyrat që merren. Duhet të bëhen ndryshime në legjislacion, janë disa ligje që duhet ndryshuar si në Kosovë edhe në Shqipëri. Trupat parlamentare duhet të merren me probleme që kanë karakter ekonomik. Jemi shqiptarë nuk jetojmë pa patriotizmin, por duhet të ketë bashkim vlerash dhe ekonomik. E kemi shumë të lehtë për ta bërë”.
Minxhozi në Sytë 7 ka theksuar se Shqipëria është e gatshme që të presë pushuesit kosovarë këtë sezon.
“Të gjitha plazhet janë inspektuar nga të gjitha institucionet nga Velipoja deri në Ksamil për të pritur bashkëkombësit nga Kosova dhe vendet tjera”.
“Grumbullimet e mëdha nuk do të lejohen edhe në plazhe do ketë distancim. Por duhet të rritet shkalla e përgjegjshmërisë, fillimisht individuale pastaj ajo shtetërore”, ka deklaruar Minxhozi.