Miopi politike
Nazmi Beqiri
Republika e Maqedonisë së Veriut sikur nuk dëshiron ta krijojë rrugën e vet të ecjes jetësore. Ajo lindi (1943), më tepër si nevojë “tamponuese” e regjionit sesa si vullnet i vet etnisë së quajtur maqedonas. Pavarësisht lindjes (që s’duhet harruar asnjëherë), i linduri duhet të përpiqet që të ecë rrugën e jetës, ta krijojë atë, ta hapë atë me duar e kokë të vet. Këtë veprim (që është domosdoshmëri për çdo shtet), kjo (RMV) nuk e bëri dhe nuk po e bën. Por, po i shtrihet-mbështetet një shtet-fuqie që në vazhdimësi gjatë ekzistencës së vet ka ushtruar kusarinë e fqinjëve po qofshin ata edhe bashkëpërbërje e tyre në fe dhe lozë.
Me t’u prishur Jugosllavia ajo kaloi në të përkëdhelurën e Serbisë, por ata që i dinin krimet serbe mbi ta: si Zebërnjaku e çdo qytet tjetër ku jetonin maqedonë ortodoksë, deri në atë masë sa në masakrimin e banorëve ortodoksë, më nuk përdorën plumbin e tehun, por çekanin (Titov Velez në 1945/46, – shfletoni “Nova Makedonia-n e kohës”), filluan të mendojnë:
një – për qëndrim në këmbët e veta;
dy- të shikonin një vendmbështejtje tjetër dhe
tre – të lëshohen në rrjedhat e zhvillimeve civilizuese botërore, për të krijuar jetëgjatësi etnike.
Me këto tre opsione ajo e krijoi një rrethsjelljeje obsionale të tyre, duke dalur në veprim petalja, që mendonte se duhet vepruar. Ky veprim prej “fluturushkeje”, u kushtoi shtrenjtë banorëve të këtij vendi deri në atë masë që i fuste në mëdyshje – se çfarë do të ndodhte me ta.
Pa siguruar asgjë për pranimin e gjuhës dhe kishës, pastaj etninë, dhe vet jetëgjatësinë e shtetit, nisën problem-ngacmimet me brendinë e shtetit, gjegjësisht etninë tjetër të barabartë në vlerat e mëkëmbjes së këtij shteti – shqiptarët, edhe duke u ndërsyer nga dashakëqijtë. Kur nuk lanë më hapësirë as për ne (shqiptarët) e as për veten, nisën krimet e 2001-shit mbi popullsinë e cila u organizua në një ushtri vullnetare e cila pas pranimit të qeverisë së vendit për të bërë pajtim dhe përmirësim të të mirave në vend, si dhe garantuesve ndërkombëtarë për këtë ujdi, filloi e mbara. Kryetari (tash më i ndjerë), punë prioritare e caktoi anëtarësimin e vendit në BE. Në këtë fushë dhe në të tjera u bënë mjaft përparime, por me aksidentin që rezultoi me vdekjen e presidentit filluan sërish luhatjet me lojëra fëmijësh, për t’i bërë barrikadë vetes drejt përparimit që ecte me vështirësi.
Kulmi i këtyre aventurave prej fëmijësh, arrijnë me Mickoskin, i cili fushatën e tij e drejtoi kundër brendisë së vendit e edhe më keq, duke e personifikuar për keqbërës lokomotivën e stabilizim-asocimit drejtë arritjes së të mirës dhe anëtarësisë në BE, Ali Ahmetin, dhe kundër gjithçkaje që i paraqitej përpara, edhe pse si element ndihmues dhe shtytës drejt të mirës duke përfshi edhe vetë BE-në. Dhe në vend që të hapërojë me ta, ai po e shtyn me zor, me përdhunë, me njerëz që po mbledh rreth vetes, të cilët po krenohen e madje edhe po krekosen për këto prapësi që po ia shkaktojnë vendit.
T’i radhisë këto faktorë esencial të rrugëtimit të një jete të mbarë të këtij vendi:
– probleme në etni dhe me fqinj
– probleme (përplasje) me partitë
– probleme (kundërshtime) me ndërkombëtarët
Probleme në etni dhe me fqinj
Si problem të parë të çështjeve etnike po i marr vetë maqedonasit, të cilët po i ngarkon me dëmtim moslëvizës përkrah fqinjëve dhe popujve të botës. Derisa këtij populli nuk i njihet besimi ortodoks që kanë, gjuha dhe vet etnia, kryeministri i vendit, rrëmben (përjashton) bullgarët e miklon serbët dhe u bën karshillëk grekëve, pa pajtimin e të cilëve RMV-ja nuk mund ta sigurojë mbijetesën. Çfarë të keqe do t’i sillte pranimi i etnisë bullgare në kushtetutë, kur praktikat zhvillimore të shteteve botërore, nga këto raste pranimesh kanë fituar vetëm stabilitet, kur këtë, mbase, e vulosi prononcimi i fundit i Eurofaktorit me qëndrimin e padiskutueshëm për ndryshimet në kushtetutë, por në këto ngatërresa të papajtimeve-logjike të kërkesave etnike, mos të mendojë Mickoja që është e pamundur që edhe ne (shqiptarët) të dalim me kërkesa të reja dridhëse… Ai duhet ta di se të gjitha etnitë duhet t’i gëzojnë liritë edhe ligjore.
Pse Kryeministri Mickoja t’i ledhatojë serbët kur edhe ata vetë e kanë përjetuar gjenocidin nga ta, dhe vazhduan dhe po vazhdojnë të shkaktojnë gjenocid e krime mbi republikat veriore të ish Jugosllavisë.
Pse ky acarim me grekët, kur shumica e ekonomisë së shtetit është pronë e tyre dhe se tashmë është ndryshuar emri me kërkesë të tyre…
Nuk po e respekton lirinë e shqiptarëve brenda shtetit duke ua mohuar votën e lirë, por po u ligavet shqiptarëve fqinj, ku edhe po gjenë pritje e përkrahje. Por, kjo do t’i kushtojë në jetë si “ujkut me emër turk” edhe sikur të bëhet “ariu i bjeshkëve të nemuna”, ngase po “përton” ta shikojë fjalorin e gjuhës për termin liri, baza e së cilës (lirisë) nisë nga fjala e lirë dhe vota e lirë, apo ndoshta i qesh zemra kur e dëgjon Mickoskin duke thënë se në shesh do të luhet ende “shota”, në vend që t’ia ofronte ligjin për gjuhën serbe, që zbatohet në Kosovë, që ta zbatojë Kristiani në RMV, e jo të qeshë e t’i klasifikojë gjërat me qëllime ditore.
Probleme me partitë
Qeveria e RMV, ka probleme me të gjitha partitë e vendit, qofshin ata, me ta në qeverisje apo qofshin në opozitë, ngase e ka kaluar kufirin e përdorimit të fyerjeve e shpifjeve, fajësimeve për situatën ku gjendemi, e të cilën e krijoi vet. Mosrespektim ka edhe me të gjitha partitë e etnive në numër më të paktë.
Ka probleme edhe me partitë shqiptare qofshin ato në qeveri apo jashtë tyre. Nuk po e respekton votën e fituar nga partitë dhe as vullnetin e lirë të etnisë shqiptare.
I është ndërsyer Ali Ahmetit, edhe duke e fajësuar se pse ka fituar në vazhdimësi. Se çka ka Kristiani në mendje për te (Aliun) e din vet ai, por nga ajo që e thotë shihet, që dëshiron ta mbyllë, ta ndajë, ta izolojë nga veprimi politik për ta barrikaduar, edhe me mur të llojit të pendave, për ta ndalë “rrjedhën” e tij drejt oqeaneve. Por, pa e ditur se këso murnajash u vihen lumejve, burimeve në lugina e jo krojeve që burojnë e krijojnë rrjedhën majë Bistre.
Madje ai nuk ngjason as në Filipin e as në Aleksandrin të cilët edhe pse e kishin bërë ushtrinë më të fortë të kohës ata kurrë nuk e kishin shkelur as me këmbë Shkupin, Kërçovën e Kumanovën e mos të flasim për Pollogun. Mbase, gjason në Kraleviç Markon, i cili ishte vazal i sulltanit, e i thirrur prej vendasve që të vinte e t’u siguronte mish se nuk e kishin kërkuar me vjet. Po ky burri i sodit a e din se kujt po ia çon ujin në mulli? Edhe ai din se kjo rrjedhë prej Bistre nuk ndalet dot, ngase janë banesë zanash e logje kreshnikësh. Por, atëherë çka e ka gjetur që po bën këso veprimesh? Apo mos po e këndon këngë e fshatit Zllatar që në vargje të saj thuhet:
“Ka lëshue Zoti shumë sevda
Fluturon zogu për hava
Ajde Zot e m’çet n’bela”.
E unë si banor i Ballkanit vetëm këtë nuk ia kisha preferuar, por i sugjeroj që të lihen lojërat e fëmijëve ballkanikë e të ruhet siguria e stabiliteti dhe vet shteti.