Miqësorja kundër Shqipërisë, parapërgatitje për kualifikueset e Botërorit 2022

11 nëntor 2020 | 11:20

Trajneri Bernard Challandes ka thënë se miqësorja vëllazërore ndaj Shqipërisë është e mirëseardhur për Përfaqësuesen e Kosovës pasi synim është të shfrytëzohen sa më shumë ndeshjet e tilla për përgatitje për kualifikueset e Botërorit 2022. Në linjë të njëjtë me përzgjedhësin zviceran ka qenë edhe kapiteni Amir Rrahmani.

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Bernard Challandes dhe kapiteni Amir Rrahmani janë paraqitur në konferencë për media para ndeshjes miqësore kundër Shqipërisë, e cila zhvillohet sot (e mërkurë) në orën 16:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

Trajneri zviceran ka thënë se ndeshja ndaj Shqipërisë është e mirëseardhur për Kosovën në këtë kohë aspak të lehtë ku, përveç pandemisë Covid-19, “dardanëve” u kanë munguar edhe rezultatet. “Shqipëria ka vërtet ekip të mirë dhe më herët ka pasur sukses të madh, por nganjëherë suksesi është edhe i rrezikshëm dhe këtë ua kam thënë edhe lojtarëve të mi, pasi kjo ka ndodhur me Shqipërinë. E kam të qartë se disa prej tyre nuk do të jenë në këtë takim, por prapëseprapë Shqipëria mbetet kundërshtare shumë e fortë dhe besoj se është kundërshtarja e duhur për neve në këtë periudhë”, ka thënë Challandes. “Për ndeshjen me Shqipërinë i kam në dispozicion 21 futbollistë dhe kjo është e mjaftueshme. Do ta bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve në bazë të minutave që kanë me klubet e tyre. Nëse kemi probleme të tjera, atëherë do ta shohim nëse kemi nevojë për lojtarë të tjerë. Do ta shohim situatën e Paçaradës, nëse mund ta arrijmë një marrëveshje me regjionin e Hamburgut që ta lëshojë atë dhe të mos karantinohet kur të kthehet. Pastaj, duket parë edhe situatën e Idriz Vocës, nëse do të jetë i gatshëm pas lëndimit që ta përfshijmë eventualisht në ekip për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve”, ka shtuar Challandes, i cili është rikthyer të flasë edhe një herë tjetër për humbjen që kishte pësuar Kosova në ndeshjen ndaj Maqedonisë së Veriut. “Tani jemi në një fazë tjetër. Jemi në grumbullimin e fundit për këtë vit që do ta na shërbejë për të provuar t’u përmbahemi vlerave tona dhe të tregojmë atë që kemi ndërtuar, po ashtu këto ndeshje janë edhe një lloj përgatitje për kualifikimet e Botërorit 2022”, ka deklaruar Challandes.

Në Përfaqësuesen A për herë të parë është ftuar sulmuesi Mirlind Daku, i cili ka shkëlqyer në këtë edicion me fanellën e Ballkanit, duke qenë lojtari më i mirë në Superligë me 17 gola të shënuara në njëmbëdhjetë ndeshje të zhvilluara.

“Daku ka luajtur ndeshje të mira, është i ri dhe ka shënuar shumë gola. Kështu që, më duhej ta ftoja. Për mua është e rëndësishme t’i ftoj lojtarët më të mirë, jo për t’u dhënë kënaqësi. Pasi nuk kemi shënuar shumë gola me kombëtaren dhe ai ka shënuar, kjo është arsyeja që e kemi ftuar. Dua të kem konkurrencë sa më shumë në ekip”, ka thënë Challandes. Ndërsa kapiteni Amir Rrahmani ka thënë se tri ndeshjet e nëntorit do t’i shërbejnë Kosovës që të përgatitet sa më mirë për kualifikueset e Botërorit 2022 që do të nisin në mars të vitit të ardhshëm. “Besoj se këto tri ndeshje do të na ndihmojnë shumë që të përgatitemi sa më mirë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit 2022, sepse e dimë se do të kemi kundërshtarë shumë më të fortë sesa ne, së paku që janë të renditur më mirë në ranglistën e FIFA-s, andaj këto ndeshje do të na ndihmojnë shumë në këtë drejtim”, ka thënë Rrahmani.

Reja: Me dëshirë do ta shmangia miqësoren me Kosovën

Trajneri i Shqipërisë, Edy Reja, ka thënë se me dëshirë do ta shmangte miqësoren ndaj Kosovës. “Është një ndeshje e ndier nga të dyja tifozëritë. Do të përpiqem të hedh në fushë një formacion konkurrues. Do të doja që të mbetej miqësore dhe mos ketë më shumë grintë se ç’duhet. Po të kisha mundësi, do ta shmangia miqësoren me Kosovën, por s’kishim alternativa të tjera. U gjendëm në një çast të vështirë”, ka thënë Reja, i cili ka zbuluar se ende nuk ka vendosur për formacionin. Portieri i Shqipërisë, Etrit Berisha, të martën ishte i pranishëm në konferencë për media para ndeshjes miqësore me Kosovën. Portieri nga Prishtina ka thënë po sikur shqiptarët të kishin vetëm një kombëtare, atëherë nga ajo do ta kishte frikë e gjithë Evropa. “Nuk është e lehtë të luajmë me Kosovën. Kur merret parasysh që është vëllazërore, gjërat merren më qetë. Nëse do të ishte ndeshje kualifikuese, do të ishte shumë e vështirë. Si Kosova, si Shqipëria, është vend im. Gjithmonë kam shkuar me bindjen që t’i përfaqësoj të dy vendet. Uroj të bëhet një ekip, sepse do të bëhej super ekip, që do ta respektonte dhe do ta kishte frikë gjithë Evropa. Fatkeqësisht, ndodhemi në një gjendje tjetër dhe duhet ta shikojmë situatën aktuale. Ta luajmë këtë ndeshje si vëllazërore”, ka thënë Berisha.

(Veton ZYMBERI)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur seanca e parë gjyqësore nga Gjykatën Speciale kundër…