Miqtë e Kosovës në Amerikë po shtohen
Ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka thënë se përderisa Kosova e falënderon përzemërisht kongresmenin Amerikan Eliot Engel për miqësinë dhe mbrojtjen e fuqishme të të drejtave dhe aspiratës sonë për Kosovë të lirë, sovrane dhe të pavarur që sot përfundon punën e tij 32-vjeçare në Kongresin amerikan, ka uruar për detyrën e re që do të marrë ditën e sotme, edhe kongresmenin Ritchie Torres.
“Kisha nderin që verën e kaluar të takohem me kongresmenin Torres, përfaqësues i distriktit kongresional të 15-të (The Bronx), New York, në Dhomën e Përfaqësuesve. Z. Torres pajtohet që drejtësia duhet të kërkohet dhe sigurohet për të gjitha viktimat e luftës gjenocidale e të spastrimit etnik të Millosheviqit në Kosovë, përfshirë për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, si dhe për vëllezërit Bytyqi, që si shtetas Amerikan u ekzekutuan si pengje të luftës nga forcat paramilitare të Serbisë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në llogarinë e saj në “Facebook”.
Ajo ka theksuar se bashkëbisedimi me të për rrugëtimin e tij të jashtëzakonshëm në politikën amerikane, si dhe për inkurajimin e madh e lidhjen e fortë me aktivistin e shquar të çështjes sonë kombëtare Harry Bajraktari, janë shpresë e madhe se miqtë e Kosovës në Amerikë nuk do të zvogëlohen asnjëherë, ashtu siç duan e shpresojnë kundërshtarët e Kosovës.
“Përkundrazi! Miqësia jonë përditë po forcohet e thellohet”, ka shkruar Haradinaj-Stublla, raporton “Epoka e re”.