Miqtë e vjetër

01 shkurt 2022 | 07:45

Berat Armagedoni

Kishte javë që mendonte të shkruante një tregim të shkurtër. Shkruante shpesh, botonte rrallë. Më shumë sesa që shkruante, mendonte dhe lexonte. Pjesën më të madhe të ditës e kalonte me dy tre shokë të moshës së pensionit në kafenenë e pensionistëve në qytet të cilët, pos mos t’i kishin pronarët e shtypshkronjave shokë dhe po mos t’ua shtypnin librat me çmim të ulët e me numër të ekzemplarëve të vogël, do t’i shitnin edhe pronat për t’i botuar librat që i shkruanin çdo dy tre muaj nga një. Dy shokët e tij, si njëri, si tjetri, kishin smirë të madhe për të bërë vepra prej tetëdhjetë faqesh sa më shumë. Ndërkaq vetë Kajtazi, moshatar me ta, edhe pse krijimtarinë letrare e kishte filluar në bankat e gjimnazit dhe shokët e konsideronin fabrikë e ideve, nuk kishte botuar as tetë libra voluminozë. Gjithsej i kishte shtatë në prag të shtatëdhjetëvjetorit dhe ndonjëherë e shqetësonte veten pse i kishte botuar dy prej tyre që nuk i shquante për krijime të veçanta pasi që ata nuk ia përmendnin më as dy shokët më të mirë.

Për dallim prej këtij, dy prej shokëve të tij ishin autorë të shtatëdhjetë veprave. Nuk kishin bërë moshë aq sa kishin botuar libra. Më shumë se për mikun tjetër, Kajtazi ndiente keqardhje për Halilin, i cili zejes së shkrimtarit ia kishte nisur në moshën 47 vjeçe dhe tash që bartte në supe 67 vjet, kishte botuar shtatëdhjetë e katër libra dhe jeta e tij, që deri vonë ishte vetëm dramë, kishte marrë kthesë kah tragjikomedia. Titujt më të shumtë të librave i kishte me poezi. Gjashtë a shtatë me tregime dhe me refleksione dhe recensione. Shpërblim nuk kishte marrë kurrë për asnjërin prej tyre nga asnjë juri e institucioneve lokale dhe qendrore. Megjithatë, kurrë nuk e ndiente krijimtarinë e vet të nëpërkëmbur, të ç’nderuar ani pse, kudo që shihte konkurs poezie dhe tregimi, s’bënte pa i dërguar nga dy a tri sosh. I kalonte edhe kufijtë e shtetit dhe niste vargje me postë në skaj të botës. Kajtazit i kujtohej se Halili as mbështetje për botim të ndonjë libri, kurrë, nga asnjë institucion, nuk kishte marrë. Për botim të librave pak para kohë më parë i kishin dhënë familjarët dhe nipërit e mbesat të cilët i kishte falënderuar në fletën e fundit të librit, disa i kishte botuar edhe me kursimet e veta ndër vite. Dy të fundit, pasi që ata të parët kishin hequr dorë nga përkrahja, i kishte botuar me paratë e pensionit që merrte në javën e katërt të muajit dhe sërish i kishte mbetur borxh shtypshkronjës dhe përtonte të kalonte më andejpari shkaku i borxhit. Asnjë fjalë të mirë kurrë nuk e kishte shkruar askush për veprat e tij të shumta që vetë mendonin se vlenin së tepërmi. Mendonte se e xhelozonte sekush, i ri dhe i vjetër; se nuk i jepnin hakun as kritikët, as mediet që kurrë nuk kishin bërë një prezantim të librit të tij e të fytyrës së tij simpatike në ekran. Sa i kujtohej Kajtazit, nja pesë a gjashtë mirënjohje ia kishin dhënë Halilit, dy prej tyre botuesi për bashkëpunim afatgjatë, tri a katër të tjera disa shkolla fillore të qytetit prej nga vinte e të cilave u kishte dhuruar libra të vet me nënshkrime të pashoqe e me gabime përplot. Edhe në këtë moshë të shtyrë ai s’e ndalte shkrimin. Se ku e gjente atë vullnet Halili, Kajtazi s’e merrte me mend. E dinte mirë Kajtazi, sepse i kishte thënë vetë disa herë Halili, se ndonjë vaktë të bukës nganjëherë harronte ta hante, edhe ilaçet harronte t’i pinte, por nuk binte në shtrat dhe në gjumë pa i shkruar me dorë katër poezi me varg të bardhë dhe strofë katërshe. Disa herë kishte provuar të flinte pa i shkruar këto poezi, por kurrë nuk kishte mundur të bënte një sy gjumë të mirë. Ishte detyruar të ngrihej nga shtrati dhe nëpër errësirë, nga një dritë e poçes së ballkonit që depërtonte në dhomën e gjumit, i shkruante ato katër poezi, pastaj flinte si qengji pranë deles. Kaq i kishte vënë vetes detyrim dhe këtë detyrim e përmbushte me përpikëri. As nuk kishte kë ta merrte në gji, as nuk kishte kush ta merrte. Flinte vetëm. Gruaja i kishte vdekur shtatë vjet më parë dhe nuk i mungonte shumë sepse rrallë fliste dhe rrinte me të sa ishte gjallë. Përpos orëve të gjumit që i bënte me të, të tjerat i kalonte nëpër qytet me shokë dhe në kafene dhe me laps e fletore në duar saqë kishte përgatitur edhe një libër të ri, pa i kushtuar një poezi në asnjë faqe gruas pas vdekjes. Sapo t’i binte një shumë e vogël e parave në duar kishte ndër mend të shkonte ta paguante borxhin prej gjashtëdhjetë eurosh në shtypshkronjë dhe ta shtypte librin e ri prej pesëdhjetë copësh.

Dy net pas Vitit të Ri, sa për t’u uruar mbarësi miqve të vjetër në të riun, Kajtazi kishte dalë në kafene. Njëri prej tyre i kishte treguar se një organizator kishte shpallur konkurs për poezi dhe për tregim. Shprehën dëshirë të shkruajnë që të tretë dhe të konkurrojnë me shifër. Po atë ditë, meqë shkruanin me dorë, në librarinë afër kafenesë blenë lapsa të rinj dhe fletore të reja dhe u përgatitën për konkurs. Tash që pajisje kishin dhe vullnet të madh po, u mungonin vetëm idetë. Kajtazi, të cilin e quanin fabrikë e ideve, secilit ua dha nga një. I mirëpritën shumë mirë. E qerasen, njëri me çaj, tjetri me kafe, ani pse nuk ishin kushedi çfarë idesh. I gjeje ato në dhjetëra libra të botuara para dhjetë vjetësh. I kishin konsumuar shkrimtarët më të mirë dhe i kishin tërhequr zvarrë shkrimtarët më të këqij. Përsëritja e tyre i kishte njollosur. Kajtazi s’priste se do të sillnin ndonjë risi as këta dy. Ndoshta vetë do të bënte një shkrim të mirë. Ata, assesi. I njihte, më mirë se kushdo tjetër, veprat e tyre, mundësitë e tyre, nivelin e shkrimit dhe të trajtimit të temave dhe të motiveve. Ua njihte edhe zorrët në bark ashtu siç e dinte mirë se njëri prej tyre zorrën qorre s’e kishte më. Bashkërisht, që të tre, e kishin ngrënë tashmë një thes krip. Pra, e njihnin mirë njëri-tjetrin. Ia njihnin ëndrrat, dëshirat dhe mundësitë. Kajtazi u bëri me dije se, për dallim prej tyre, për këtë konkurs do të shkruajë një tregim. U tha se e ka një ide të shkëlqyer. Nuk e di pse nuk ua tregoi por, edhe po t’ua thoshte, s’do të dinin të shkruanin siç do ta shkruante vetë. Ndoshta nuk ua dha ngaqë ata që shkruanin poezi mund të shkruanin edhe ndonjë tregim dhe të konkurronin, përpos me poezi, edhe me tregim; me ndonjë tregim të shkruar shkel dhe shko, sa për të marrë pjesë e jo për t’u bërë konkurrent serioz në konkurs. Halili shprehi dëshirë të dinte për ç’temë do të shkruante Kajtazi. Edhe miku tjetër i tyre, Selimi, pati dëshirë ta dinte idenë e tregimit. Halili vetëm i vështronte me keqardhje. Vetëm thithte cigare dhe ua ngulte sytë hem njërit e hem tjetrit dhe, derisa pritnin një fjalë prej tij, iu duk e nevojshme t’u thotë: “Do t’ju tregoj pasi t’i dorëzojmë në konkurs. Ju tash i keni idetë që jua dhashë dhe realizojini ato në vargje sa më mirë. Unë s’do t’ju bëj konkurrencë me vargje. Do t’u bëj atyre që shkruajnë prozë. Nëse shpallem fitues, secilit do t’jua ndaj paratë përgjysmë dhe dërgojini librat në shtyp. Shtypni aq sa ju shtypin ata në shtypshkronjë me paratë e shpërblimit”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjeneral Major David Tabor flet për arsyet se pse Komanda…