MIQTË INTERESOHEN PËR NEVE, AQ SA NE PUNOJMË PËR VETEN
Kosova duhet të distancohet nga e kaluara e atyre politikanëve të cilët me veprimet e tyre të papërgjegjshme ndikuan në zbehjen e interesimit ndërkombëtar ndaj nesh. Kjo shansë po ringjallet sërish dhe ajo duhet të demonstrohet më 6 tetor
Nga Mehmet PRISHTINA
Ata që bëjnë politikë lokale në Prishtinë, harrojnë se mënyra se si i menaxhojnë institucionet vendore ndikon drejtpërdrejt në disponimin e aleatëve tanë për të vazhduar apo jo mbështetjen, qoftë financiare, qoftë teknike, diplomatike etj. ndaj nesh. Gati shumë pak media dhe vëzhgues në Kosovë janë marrë profesionalisht me këtë temë, dhe fare pak kush po i analizon shkaqet e zbehjes së interesimit ndërkombëtar në forcimin e institucioneve të sigurisë, përfshi Ministrinë e Brendshme, Forcën e Sigurisë, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Drejtësisë, por edhe të resurseve të tjera shtetndërtuese.
Adminstrata e Presidentit Trump ka reduktuar disa fonde që janë të dedikuara për Kosovën, e ku kryesisht janë programe për mbështetjen e institucioneve të sigurisë dhe ligjzbatimit, kurse një ndër arsyet kryesore lidhet me jo profesionalizmin e shfaqur në institucione të caktuara, si dhe me defokusimin e politikës vendore ndaj këtyre çështjeve jetike, ku gjithsesi janë edhe skandalet e shumta korruptive e nepotiste, pa harruar edhe punësime e profileve jo adekuate e joprofesionale ku zakonisht dominojnë interesat e ngushta partiake.
Kjo zbehje interesimit ndërkombëtar nuk lidhet gjithmonë me ndryshimin e strategjive të aleatëve tanë, sidomos SHBA ndaj rajonit dhe Kosovës në veçanti, por parasëgjithash lidhet me bilancin e politikave publike që drejtojnë udhëheqësit politik e institucional në Prishtinë. Madje mund të thuhet se strategjia amerikane ndaj Kosovës është më konzistente se vet qëndrimi që kanë politikanët tanë ndaj çështjeve jetike që lidhen me ardhmërinë e vendit.
Ata që bëjnë politikë lokale në Prishtinë, mendojnë se gjithë bota sillet rreth tyre, por harrojnë se bota ka shumë problem sot. Kanë kaluar 20 vite, prej atëherë kur Kosova ishte në qendër të fokusimit ndërkombëtar dhe falë ndikimit të fuqishëm amerikan ndodhi kthesa e madhe në vitin 1999. Por ajo që do të duhej të thuhet guximshëm nga intelektualët dhe mendimtarët e pavarur të Kosovës, ka të bëjë me keqpërdorimin e kësaj mbështetje ndërkombëtare nga ana e strukturave të caktuara politike të Prishtinës, përmes veprimeve aspak serioze, që jo rrallë binin ndesh me interesat strategjike të aleatëve tanë.
Këto struktura kishin harruar se aleancat nuk janë të përjetshme dhe se mund të ndodhë që armiqtë e shtetit të Kosovës ta shfrytëzojnë këtë joseriozitet të Prishtinës zyrtare duke kthyer në favor të tyre simpatitë e shteteve Perëndimore, përmes politikave të hapura dhe propagandave agresive, por edhe përmes lobimeve e veprimeve jotransparente, ku bëjnë pjesë edhe martesat me zyrtarë ndërkombëtarë, të cilët në raste të caktuara mund të jenë edhe subjektiv në vendimmarrjet e tyre.
Kosova nuk ka një strategji kombëtare për parandalimin e devijimeve të ndryshme. Në mungesë të kësaj strategjie ndodhi që vendi ynë të bëhet rekrutues i luftëtarëve të luftërave të huaja, kurse institucionet shtetërore e fetare u treguan të pafuqishme në parandalimin e kësaj dukurie që ishte e orientuar drejtpërdrejt kundër interesave tona gjeostrategjike dhe orientimit tonë civilizues.
Pjesëmarrja e dhjetëra kosovarëve të rinj në frontet e ISIS-it ishte një lajm i keq për miqtë tanë amerikanë, sepse këta të fundit ishin frontmenët globalë të luftës kundër radikalizmit islamik. Ndonëse raste të izoluara dhe me një intensitet të zvogëluar kohëve të fundit, kjo pjesëmarrje e kosovarëve në frontet e luftërave të huaja në Siri e Irak, burimin e ka në keqmenaxhimin institucional të pakënaqësive sociale nga ana e atyre që e udhëhoqën shtetin e Kosovës, me shpresë që kështu nuk do të jetë pas zgjedhjeve parlamentare të tetorit.
Kur jemi te zgjedhjet, Qeveria që do të merr drejtimin e vendit, punën e parë që do të duhej ta bënte do të ishte rikthimi i besimit të miqve tanë ndërkombëtarë, duke i bindur ata se shteti ynë ka ende nevojë për ndihmën e tyre, kurse në shenjë mirënjohjeje për këtë ndihmë do të duhej të ngritët në nivele maksimale niveli i përgjegjësisë institucionale, që nënkupton edhe hapja e një fronti të madh kundër të gjithë atyre që do të guxonin ta keqpërdorin shtetin, paranë publike, resurset qeveritare për përfitime personale.
Vetëm në këtë mënyrë mund të dëshmojmë në praktikë se e meritojmë përkrahjen amerikane dhe evropiane, sepse edhe një mik nëse të ndihmon, ai është i interesuar të dijë nëse ndihma e tij ka pasur apo jo efekt.
Kosova duhet të distancohet nga e kaluara e atyre politikanëve të cilët me veprimet e tyre të papërgjegjshme ndikuan në zbehjen e interesimit ndërkombëtar ndaj nesh. Kjo shansë po ringjallet sërish dhe ajo duhet të demonstrohet më 6 tetor.
Prishtinë, 5 shtator