Miratohen tetë projektligje në mbledhjen e Qeverisë
Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar mbledhjen e saj të rregullt me radhë, në të cilën ka miratuar tetë projektligje dhe vendime tjera të fushës së përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në hapje të mbledhjes, kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar nga ministrat që të jenë të rregullt me praninë e tyre në seancat e Kuvendit të Republikës, në veçanti kur diskutohen çështjet që lidhen me veprimtarinë e ministrive të tyre si dhe në reduktimin e vizitave jashtë vendit në mënyrë të pakoordinuar.
Më kërkesën e kryeministrit, ministri i Financave ka informuar për procesin e implementimit të Marrëveshjes Kornizë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Austrisë për financimin e projekteve të ndryshme që implementohen nga komunat e Kosovës.
Ministri ka informuar se disa nga komunat janë treguar më efikas në ndërtimin e kapaciteteve për shfrytëzim të këtyre fondeve dhe disa kanë ngecje në këtë drejtim.
Ai ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë së Financave që të mbështes komunat në realizimin e përfitimeve nga këto fonde.