Miratohet deklarata në nderim dhe përkujtim të viktimave të masakrës së Srebrenicës
Kuvendi i Republikës së Kosovës sot në një seancë të jashtëzakonshme ka miratuar me 84 vota për, deklaratën për të nderuar dhe përkujtuar viktimat e masakrës së Srebrenicës në vitin 1995.
Nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, nga komuniteti multietnik ka thënë se Kuvendi i Kosovës vlerëson lartë miratimin e rezolutës nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për Ditën Ndërkombëtare të reflektimit dhe të përkujtimit të gjenocidit për vitin 1995 si dhe qëndrimet dhe argumentimet e shprehura përmes saj.
“Në mbështetjen e Rezolutës së OKB-së, për Ditën ndërkombëtare të reflektimit të përkujtimit të gjenocidit të vitit 1995, në Srebrenicë. Në respekt të Kartës së OKB-së, deklaratës universale të të drejtave të njeriut dhe Konventës për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit, fuqizimit të partneritetit me institucionet e organizatës së OKB-së dhe bashkëpunimit dhe partneritetit me mekanizmat e vendeve anëtare të OKB-së. Duke përsëritur angazhimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe nxitjen e unitetit të diversitetit në Bosnje dhe Hercegovinë, duke riafirmuar kundërshtimin e Republikës së Kosovës ndaj mos ndëshkimit të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës ose shkeljeve të tjera të së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe për të kërkuar paqen e qëndrueshme, drejtësinë, të vërtetën dhe pajtimin”, ka thënë Shabani.