Miratohet dokumenti ‘Udhërrëfyesi kundër korrupsionit dhe financave të paligjshme’ në Ballkanin Perëndimor
Është mbajtur Konferenca Regjionale me përfaqësuesit e nivelit të lartë të qeverive nga vendet e Ballkanit Perëndimor, për të miratuar Udhërrëfyesin Rajonal mbi Anti-korrupsion dhe Financat e Paligjshme.
Në këtë ceremoni, nga Republika e Kosovës të pranishëm ishin ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu si dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu ka shprehur përkushtimin për hapat konkret në drejtim të luftës kundër korrupsion duke theksuar se luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar, është njëri ndër top prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, për çka edhe kishin fituar mbi 50 për qind të besimit të qytetarëve në zgjedhjet e shkurtit të këtij viti.
Haxhiu ka veçuar miratimin e koncept dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe hartimin e projektligjit, kompletimin dhe miratimin e pakos ligjore kundër-korrupsion, zhvillimin e procesit të vetingut si një hap i rëndësishëm në rritjen e integritetit dhe besimit në sistemin e drejtësisë si dhe hapat tjerë konkret të cilat do t’i ndërmerr Ministria e Drejtësisë në drejtim të shtimit të kapaciteteve profesionale dhe njerëzore në drejtim të adresimit të luftës kundër-korrupsion.
Në anën tjetër, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në fjalën e tij ka theksuar se sundimi i ligjit dhe lufta ndaj krimit dhe korrupsionit janë parakusht për një shtet të së drejtës dhe një shtet zhvillimor, prandaj ne jemi të qartë në vizionin tonë në këtë drejtim. “Si ministër i Punëve të Brendshme, dëshiroj të theksoj se më zgjedhjet e shkurtit të këtij viti, ne e kemi marrë një mandat të qartë nga qytetarët tanë, për ta luftuar krimin dhe korrupsionin dhe atë po e bëjmë që nga dita e parë e qeverisjes sonë”, ka thënë ai.
Dokumenti është rezultat i punës së delegacioneve nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vjen si rezultat i dakordimeve të kryeministrave si pjesë e procesit të Berlinit.
Të pranishëm të tjerë në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues nga Republika e Kosovës, Shqipërisë, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.