Miratohet kërkesa e mbrojtjes së Veselit për të shtuar një dokument në listën e provave
Në seancën e të martës, në gjykimin në rastin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e mbrojtjes së Veselit për të një dokument në listën e provave.
Ndonëse, kjo kërkesë sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Charles Smith III është kundërshtuar nga ana e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
“Në këtë rast bëhet shumë e vështirë për gjithë palët, jo vetëm për palët po edhe për ne për tu përgatitur si duhet, kundërshtimi i ZPS-së është i kuptueshëm megjithatë, trupi gjykues do ta lejoj shtesën e provës materiale”, ka thënë ai.
Ndryshe, gjykatësi Smith ka thënë se para se të vazhdohet me pyetjet nga mbrojtja për dëshmitarin e katërt me kodin 4748, do të diskutohet edhe një çështje tjetër e cila duhet të trajtohet në seancë private.
Andaj, seanca është duke vazhduar në sesion privat.
Gjatë muajit prill ka filluar gjykimi derisa në seancën e 3 prillit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) dhe mbrojtësi i viktimave kanë paraqitur deklarimet hyrëse dhe pas leximit të aktakuzës së ndryshuar nga ana e ZPS-së, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, u deklaruan të pafajshëm për veprat penale që iu vihen barrë.
Më 4 prill mbrojtja e Thaçit, Veselit dhe Selimit kanë dhënë fjalën hyrëse derisa më 5 prill mbrojtja e Krasniqit ka dhënë fjalën hyrëse.
Më 11 prill ka filluar paraqitja e provave të prokurorisë ku dëshmitarja e parë e mbrojtur e Prokurorisë, ka dhënë dëshminë e saj më 11 prill, 12 prill, 13 prill dhe më 17 prill.
Më 17 prill ka filluar dëgjimi i dëshmitarit të dytë, po ashtu i mbrojtur, i cili ka vazhduar dhënien e dëshmisë edhe më 18 prill, 19 prill dhe 20 prill, ku ka përfunduar dhënien e dëshmisë edhe dëshmitari i tretë, kurse më 10 maj ka filluar dhënien e dëshmisë dëshmitari i katërt.