Miratohet ligjin për Fondin Sovran, reagon Kurti: Kosova vendoset në hartën financiare të Evropës

15 dhjetor 2023 | 20:57

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar sonte në lexim të dytë Projektligjin për Fondin Sovran.

Pas votimit të këtij ligji ka reaguar kryeministri Albin Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net.

Kurti ka thënë se me miratimin e këtij ligji, Kosova vendoset në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës.

“Me këtë vendim e vendosëm Kosovën në hartën financiare të rajonit dhe të Evropës dhe vumë bazën për krijimin e një trashëgimie për gjeneratat e ardhshme. Fondi Sovran do të punojë që t’i forcojë ndërmarrjet publike të vendit dhe ato t’i shndërrojë në korporata të fuqishme të vendit dhe më tej. Fondi Sovran do të sjellë një cikël të ri investimesh në vend duke e lidhur Kosovën me tregjet botërore financiare dhe duke e ngritur dhe shtuar qarkullimin e kapitalit investiv për gjithë ekonominë e vendit.”, ka shkruar tutje ai.

Sipas Kurtit, Qeveria do të punojë në ndërtimin e strukturës organizative të Fondi Sovran.

“Ligji është vetëm hapi i parë, meqë Qeverinë e presin punë të shumta në ndërtimin e strukturës organizative të Fondit Sovran dhe në thellimin e reformave në sektorin publik për përgatitjen e ndërmarrjeve që do të inkorporohen si asete të Fondit Sovran. Për këtë ne do të vazhdojmë të punojmë me ekspertët e vendit dhe ata ndërkombëtarë dhe të mësojmë nga përvojat më të mira ndërkombëtare të fondeve sovrane në Evropë dhe në botë, por edhe në nismën për krijimin e kornizës ligjore për tregun e kapitalit në Kosovë.”, ka thënë ai.

Kujtojmë që opozita nuk mori pjesë në votimin e këtij ligji.

62 deputetë, kanë votuar pro këtij projektligji, pa asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.

Si pjesë e Projektligjit për Fondin Sovran në lexim të dytë u përfshin 47 amendamente.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kuvendi i Kosovës ka miratuar të premten në mbrëmje në…