Miratohet propozimi i qeverisë për anëtarët e bordit të ZRRE-së

27 korrik 2021 | 14:12

Përkundër kritikave nga deputetët e opozitës, anëtarët e Komisionit për Ekonomi me shumicë votash kanë votuar propozimin e qeverisë me emrat për kandidatë për kryesues dhe anëtarë të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, ka theksuar se ka shkelje dhe veprime politike për përzgjedhjen e këtyre anëtarëve për këtë bord.

“Shkeljet janë tipike politike. Edhe në këtë sektor të energjisë ka ndërhyrje nga pushteti që udhëhiqet nga LV-ja”, ka thënë Shala.

Po kështu kritika pati edhe deputeti nga AAK-ja, Pal Lekaj, i cili ka theksuar se propozimi i qeverisë është puro politik, të cilin e quajti skandal.

Ndërsa, anëtarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari-Lila ka mbështetur propozim vendimin e qeverisë, duke theksuar se kanë eliminuar emrat që kanë qenë politik.

Kandidat për kryesues të bordit të ZRRE-së, përveç Vehbi Sofiut është propozuar edhe Imer Fejzullahu.

Për anëtar të bordit janë propozuar edhe Astrit Saraqini, Gani Buçaj, Arjeta Pajaziti-Qerimi dhe Lutfije Dervishi.

Në këtë mbledhje ka raportuar edhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari për nivelin e zbatimit të Ligjit për Shoqëritë Tregtare.

Hajdari ka theksuar se sa i përket këtij ligji kanë avancuar, por që kanë hasur edhe në problematika sikur me rastin e sanksioneve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Fadil Xhemajl Xhema, shpall te pavlefshme dëftesën e shkollës fillore…