Miratohet në lexim të parë Rregullorja e re e Kuvendit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në lexim të parë Rregulloren e re të legjislativit, e cila është përkrahur nga gjitha grupet parlamentare.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion dhe deputeti i Vetëvendosjes, Adnan Rrustemi, ka treguar risitë e kësaj projekt-rregullore.
“Draft-rregullorja defion procedurat për seancën konstitutive në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, kryesimin e seancës në rastin e refuzimit të seancës konstituive, nominimin dhe zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, përcakton mënyrën e zgjedhjes së kryetarëve, proceduarën e zgjedhjes së nënkryetarëve dhe procedurën e nominimeve të zgjedhjes së nënkryetarëve të pakicave. Për të shmangur vonesat procedurale forcon rolin e kryetarit të Kuvendit në çështjet si përgatitja dhe propozimi i rendit të ditës, shpërndarja e projektligjeve por në esencë nuk pakëson kompetencat e Kryesisë së Kuvendit. Formalizon dhe normon praktikën aktuale të konsultimit me shefat e grupeve parlamentare rreth rendit të ditës, numrit dhe përbërjes së komisioneve të Kuvendit, duke krijuar konferencën e kryetarëve si një organ të ri të Kuvendit”.
“Fshihen dispozitat për procedurat e heqjes së imunitetit të deputetit në përputhje me aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011. Me nen të veçantë rregullon organizimin e grupeve të grave deputeteve, grupeve të tjera jo formale dhe grupeve të miqësisë. Përcakton të drejtat dhe përgjegjësisë të deputetëve që të ofrohen mbështetje për deputetët, në anën tjetër përcakton papërgjegjësinë e deputetit për të marrë pjesë në procesin e votimit në seancë dhe përcakton rregullat kur mungon në seancë plenare apo mbledhje të komisioneve”, ka thënë ai.
Megjithëse i ka dhënë mbështetje kësaj rregulloreje, shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se duhet shqyrtohet edhe disa çështje gjatë grupeve punuese.
Ai ka thënë se masat disiplinore që janë propozuar karshi deputetëve nuk duhet të cenojnë punën e lirë të deputetit.
Përkrahje draft-rregullores i ka dhënë edhe LDK-ja përmes deputetit Driton Selmanaj.
“Kemi një dokument bukur mirë të konsoliduar. Thash se shumë probleme që kanë dal proces të funksionalitetit të kuvendit pretendojmë se janë adresuar. Po ashtu edhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese për shumë çështje që lidhen me Kuvendit pretendojmë se kemi arrit të adresojmë. Por do të kemi mundësinë që edhe në lexim të dytë të adresojmë disa çështje që kërkojnë sqarime më shumë”, është shprehur Selmanaj.
Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se Kuvendi është vonuar në miratimin e rregullores së re, pikërisht për shkak të mazhorancës së sotme, e cila më herët ka qenë në opozitë.
“Arsyeja pse s’kemi pasur rregullore të re është se LV-ja sa ka qenë në opozitë nuk ka marrë pjesë në grupet punuese. Ajo çfarë kemi bërë ne si grupe parlamentare është se kemi marrë pjesë aktivisht në përpilimin e saj”, ka thënë ai, pasi i ka dhënë mbështetje kësaj rregulloreje.