Miratohet në parim buxheti i Kosovës
21 dhjetor 2018
| 16:32
Me 62 vota për, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar të premten në parim projektligjin rreth buxhetit për vitin 2019.
Kuvendi i Kosovës ka debatuar ditë më parë për dy ditë rresht rreth buxhetit të propozuar nga Qeveria e Kosovës.
Megjithatë, debati pati përfunduar pa votimin e projektligjit, pasi Kuvendi nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje.
Buxheti për vitin 2019 është paraparë të arrijë shifrën e 2,3 miliardë eurove.
Ky projektbuxhet nuk është mbështetur nga dy partitë opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo ka fituar përkrahjen e subjektit tjetër opozitar, Partisë Socialdemokrate.