Miratohet në parim Projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2024
Pas një diskutimi disa orësh, Kuvendi i Kosovës miratoi në parim Projektligjin për ndarjet buxhetore për vitin 2024.
Për këtë projektligj votuan 62 deputetë.
Në votim nuk morën pjesë deputetët e partive opozitare, përkatësisht të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ata të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Projektligji është miratuar nga Qeveria e Kosovës më 31 tetor, ndërsa shuma e paraparë buxhetore kap vlerën e mbi 3.3 miliardë eurove – nga 3.2 miliardë sa ishte në këtë vit.
Nga kjo shumë, mbi 1 miliard euro parashihet të shkojnë për subvencione dhe transfere, mbi 850 milionë euro për shpenzime kapitale, mbi 800 milionë euro për paga dhe shtesa dhe afër 500 milionë euro për mallra dhe shpenzime.
Pesë institucionet me buxhetin më të madh në vitin 2024 pritet të jenë: Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me 931.025.963 euro, Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës me 265.445.995 euro, Ministria e Punëve të Brendshme me 216.523.467 euro, Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës me 174.387.768 euro dhe Ministria e Mbrojtjes me 153.049.911 euro.
Sipas Qeverisë së Kosovës, buxheti do të rritet në disa sektorë vitin e ardhshëm, përfshirë: sigurinë, shëndetësinë, ekonominë dhe arsimin.
Buxheti i vitit 2024 parasheh edhe rritjen e koeficientit të pagave nga 105 euro – sa është aktualisht – në 110.