Miratohet një mocion i rëndësishëm i mbrojtjes së Selimit në Speciale
Ka filluar në Gjykatën Speciale procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Trupi gjykues, në fillimin e seancës ka pranuar mocionin e paraqitur nga mbrojtja e Rexhep Selimit për kundërshtimin e dëshmisë së një dëshmitari lidhur me dy incidente të pretenduara, të cilat kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës.
“Mbrojtja e Selimit ka paraqitur mocion dhe kundërshton dëshminë e dëshmitarit për dy incidente të pretenduara që kanë ndodhur jashtë periudhës kohore të aktakuzës”.
“Ky informacion i dhënë është i paverifikueshëm. Trupi gjykues miraton mocionin e mbrojtjes së Selimit. Nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për incidentet e përshkruara në paragrafet 3.16.23 të materialit. Sa i takon dëshmisë së dëshmitarit, duhet redaktuar referencat lidhur me këto sulme nga çdo material që synojnë të paraqesin si prova. Së fundmi, palët duhet t’i dorëzojnë versionet e redaktuara deri të hënën”, ka theksuar gjykatësi Charles Smith.
Trupi gjykues ka vlerësuar se pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve.
“Pranueshmëria e këtyre provave mund të shkaktojë cenim të padrejtë të të akuzuarve. Nuk lejohet ZPS-ja të bëjë pyetje për këto incidente”, ka thënë kryetari i trupit gjykues.
Sot sikurse edhe javën e kaluar do të vazhdohet me procesin e paraqitjes së provave, përkatësisht dëgjimin e dëshmitarëve në seancë të mbyllur.