Miratohet plani zhvillimor komunal në Drenas
Në mbledhjen e rregullt të Kuvendit të Komunës së Drenasit të hënën është miratuar me vota unanime plani zhvillimor komunal për periudhën 2020-2028.
Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se ky dokument i planifikimit hapësinor paraqet një bazë të mirë për zhvillimin komunal.
“Plani Zhvillimor Komunal është një pasqyrë e zhvillimit të komunës së Drenasit dhe është një plan strategjik multi-sektorial i cili përcakton periudhën afatgjate tetë vite të zhvillimit ekonomik, social dhe hapësinor. Deri në miratimin e këtij dokumenti, janë ndjekur të gjitha fazat e diskutimeve me qytetarë e grupe të interesit, për të qenë sa më transparent. Fazat që ka kaluar procesi i PZHK-së janë, profili, vlerësimi i gjendjes ekzistuese, koncepti i zhvillimit hapësinorë dhe prioritetet strategjike me planin e veprimit. Të gjitha këto faza janë përcjellë me pjesëmarrje aktive të qytetarëve dhe akterëve tjerë relevant”, ka thënë Lladrovci.
Ai ka falënderuar kontribuuesit e hartimit të Planit Zhvillimor Komunal të Drenasit 2020-2028.
Sipas Lladrovcit, ky falënderim i dedikohet ekspertëve nga GIZ-i gjerman, ekspertëve të kompanisë hartuese të PZHK-së, Ekipit Komunal për Planifikim, Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, Ekipit Këshillues të Komunitetit si dhe gjithë qytetarët dhe grupeve të interesit që kanë marrë pjesë në hartimin e këtij dokumenti.
(Q.R / Epoka e re)