Miratohet programi kombëtar për zbatimin e MSA-së 2021-2025
Kuvendi i Kosovës me 63 vota ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit 2021-2025.
Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka treguar detajet e këtij programi, teksa ka bërë me dije se kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është mbi 47 milionë euro.
“Programi kombëtar për zbatimin e MSA-së përmban gjithsej 242 masa afatshkurtra, prej tyre 109 masa legjislative dhe 133 masa zbatuese, si dhe objektiva prioritare afatmesme. Kostoja totale e zbatimit të programit për këtë vit është vlerësuar të jetë 47 milionë e 676 mijë e 792 euro, prej të cilave 44 milionë e 931 mijë e 171 euro janë nga buxheti shtetëror dhe 2 milionë e 745 mijë 621 euro nga mbështetja e donatorëve ku janë kryesisht BE-ja dhe donatorët bilateral. Ky dokument nuk ka asnjë vakum buxhetor”, ka thënë ai, duke shtuar se kanë paraparë zbatimin e të paktën 80 për qind të programit për këtë vit.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se ky dokument është shkelur me të dyja këmbët nga vet qeveria me emërimin e familjarëve nëpër bordet e institucioneve të pavarura.
Mbështetje Programit Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit 2021-2025 i kanë dhënë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.